Shqipëria

Balla për vetting-un: S’ka pazare me PD-në. Politika të qëndrojë larg


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të martën e 12 tetorit, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, në një deklaratë për mediat i ka mohuar “pazaret” me Partinë Demokratike për arritjen e konsensusit të zgjatjes së organeve të vetting-ut, si pjesë e Reformës në Drejtësi.

Sipas Ballës, politika duhet të rrijë larg çështjeve të vetting-ut në kuptimin e rëndësisë – kjo pasi vetting-u ka të bëjë me një çështje teknike.

“Do të propozoja që askush prej nesh të mos e politizojë dhe ta mbajmë si një çështje tepër teknike si vijueshmëri të reformës në drejtësi”, theksoi Balla.

Ai bëri me dije se, “ekspertët shqiptarë janë duke punuar intensivisht me dy institucione ndërkombëtare, që kanë këshilluar mbarëvajtjen e reformës në drejtësi për të konkluduar në amendamentin për zgjatjen e afatit të komisionit të përkohshëm të kualifikimit”.

Në vijim, kreu i Grupit të PS-së deklaroi se, “ky amendament kërkon një kohë minimalisht 45 ditë”.

Në përfundim, ai dha një mesazh që mazhoranca është e gatshme për të diskutuar pa rezerva çdolloj çështje që mund të vijë nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore