Shqipëria

Balla me delegacionin e qeverisë rumune: Marrëdhënia mes shteteve në fokus, linjë direkte Tiranë-Bukuresht


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka pritur në një takim, në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, një delegacion të Senatit të Rumanisë, i cili kryesohej nga senatori Titus Corlățean, kryetar i Komitetit të Politikës së Jashtme në Senatin e Rumanisë.

Balla bëri të ditur se janë arritur një sërë marrëveshjesh, ku përfshihet një memorandum mes parlamenteve për të marrë eksperiencë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kemi rënë dakord të fillojmë bashkëpunimin e një memorandumi mes parlamenteve tona në dobi të marrjes së eksperiencës për anëtarësimin në BE dhe në ndërtimin e projekteve për të aplikuar në shumë fonde. Shqipëria duhet të jetë gati për të përfituar nga procesi i anëtarësimit”, bëri të ditur Balla për mediat.

Sakaq, kreu i grupit socialist deklaroi se shtëpia “Jorga” në Sarandë – një rëndësi kulturore – e cila është në pronësi të Rumanisë, i takon kësaj të fundit.

“Ajo shtëpi i takon Rumanisë dhe natyrshëm që, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të shumicës në Kuvend, dua t’i bashkohem kërkesës së qeverisë shqiptare që ta përmbyllim rikthimin e shtëpisë ‘Jorga’ te qeveria rumune. Pala rumune ka rëndë dakord që kjo shtëpi të kthehet në shtëpinë e ‘Evropës’”.

Ata diskutuan edhe për agresionin rus në Ukrainë, ku falënderoi popullin rumun për mikpritjen e mbi 2 milionë refugjatëve ukrainas.

“Ne mbajmë të njëjtin qëndrim sa i përket dënimit të agresionit dhe të gjitha formave të sanksioneve të makinerisë ruse”, u shpreh Balla.

Ky i fundit gjithashtu ka falënderuar shtetin rumun për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë përgjatë gjithë “historisë sonë”.

“Themeluesi i shtetit tonë, Ismail Qemali, u nis nga Bukureshti për të mbërritur në Vlorë. Nuk do ta harrojmë mbështetjen e madhe që qeveria rumune i dha themeluesit të shtetit shqiptar”, vijoi Balla.

Ndër të tjera, ai solli në vëmendje se marrëdhënia e mirë mes vendeve vjen edhe për faktin e rolit që luan komuniteti arumun.

Në përfundim bëri të ditur se shumë shpejt do të ketë një linje direkt Tiranë-Bukuresht.

“Jam i sigurt që do të ketë shumë turistë rumunë që do të përfitojnë nga ofertat që Shqipëria ka dhe bukuritë e pakonkurrueshme”, e përmbylli Balla deklaratën për mediat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore