Shqipëria

Balla Alibeajt: Taksa e Qarkullimit nuk hiqet, biznesi i madh do të vijojë të taksohet më shumë


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë të ditur se mazhoranca nuk do të votojë për heqjen e Taksës së Qarkullimit për naftën me qëllim uljen e çmimit të karburantit në tregje.

Në një replikë me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, sa i përket projekt-rezolutës të propozuar nga ky i fundit, Balla theksoi se qeveria subvencionon çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe bizneset e vogla.

“Ndodh për herë të parë në botë që paketa e propozuar nga opozita është më e vogël se ajo që propozon qeveria. Opozita mund të propozojë ç’të dojë se është me duar në xhepa dhe s’ka përgjegjësi. Paketa jonë është 350 milionë dollar. Janë para që shkojnë te njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”, tha Balla në fjalën e tij.

Sakaq Alibeaj tha se qeveria ka subvencionuar çmimin e biletës për qytetarët që udhëtojnë me autobus, ndërsa ata që lëvizin me makina sipas tij, duhet të paguajnë taksa.

“Këtu kishte një propozim që të hiqet taksa e qarkullimit. Alibeaj unë dhe ti do ta paguajmë naftën me të njëjtin çmim në treg, kurse të gjithë qytetarët që lëvizin me autobus do ta paguajmë biletën sa e kanë patur para luftës. Nuk jemi këtu që të bëjmë politika për vete, dhe nuk jemi këtu për të ulur çmimin e naftës për mua dhe ty. Jemi këtu që të mos lejohet prekja nga çmimi i atyre që udhëtojnë me autobus”, vijoi Kreu i Grupit Socialist.

Ndërsa sa i përket propozimit të demokratëve për të rritur ndihmën ekonomike, Balla theksoi se qeveria e ka bërë këtë më herët, madje gjatë miratimit të buxhetit 2022 është dyfishuar dhe trefishuar për disa kategori.

“Ju nuk e keni patur mendjen, por kur kemi miratuar Buxhetin e vitit 2022, i cili është shumë më i mirë nga sa keni propozuar ju. Kemi rritur dy herë masën e ndihmës ekonomike për 15 mijë familje. Kemi rritur tre herë masën e ndihmës ekonomike për fëmijët jetimë dhe gratë e dhunuar”, tha ndër të tjera Balla.

Nga ana tjetër Balla u ndal dhe te TVSH-ja, duke iu drejtuar propozimit të demokratëve se, “duhet të dini se heqja e saj nuk do të prekte qytetarët, pasi 60% e bizneseve ku blihen produktet ushqimore nuk kanë TVSH”.

Sipas Ballës qeveria takson më tepër biznesin e madh, ndryshe nga sa bëhej në kohën kur vendi qeverisej nga demokratët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore