Lajme

Baldwin po provonte qitjen kur Halyna u vra


Historia “hollivudiane”, e cila kaploi Hollywood-in dhe një botë mbarë, ku e vdekur mbeti kinematografja Halyna Hutchins nga shkrepja aksidentale e armës prej aktorit të njohur, Alec Baldwin, vijon të nxjerrë detaje të reja.

Dëshmia e fundit është ajo e regjisorit të flmit “Rust”, Joel Souza, i cili po ashtu mbeti i plagosur nga të shtënat, por arriti të shpëtojë.

Joel Souza, regjisor i filmit

Sipas regjisorit, Baldwin ishte duke ushtruar qëndrimin dhe shënjestrën, në përgatitje të filmit.

“Ai ishte në skenën e një pjese që do të xhirohej në një ambient kishtar. Po ushtronte përdorimin e armës, duke bërë kalimin nga një dorë në tjetrën. Më pas dëgjuam një të shtënë të fuqishme”.

Kujtimi i fundit që ai ka nga Hutchins ndërkohë, është tmerrues.

“Halyna, sapo u dëgjua e shtëna, filloi të ankohej për dhimbje në bark. Ajo kishte vendosur duart në pjesën e stomakut. Më pas e pamë se ishte qëlluar”.

Halyna Hutchins gjatë xhirimeve të një filmi

Nga ana tjetër, të gjitha kamerat e xhirimeve janë sekuestruar nga Policia. Operatori Reid Russell ishte ai që po filmonte në çastin e ngjarjes. Dëshmia e tij ka qenë, po ashtu, me rëndësi për Policinë.

“Nuk i ndiej këmbët”. Kështu i pati thënë Halyna Russell-it pasi të shtënat u dëgjuan.

Ai gjithashtu i ravijëzoi pakënaqësitë e një pjese të ekipit të xhirimit. Madje, bëri me dije se kanë qenë disa pjesëtarë të stafit, të cilët janë larguar nga sheshi atë ditë, për shkak të pagesave të prapambetura.

Ferma ku po xhirohej filmi Rust

Ndërkohë që arma, edhe sipas Souzas, duhet të kishte qenë e ftohtë. Pra, ajo s’duhet të kishte fishekë aktivë brenda.

Rezultantja e kësaj pakujdesie, ishte vdekja tragjike e 42-vjeçares ukrainase, e cila ishte një yll në rritje në industri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore