Lajme

Bajrami: Të shkarkohet Nagavci menjëherë, po tallet me mijëra fëmijë e familje


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri Kurti duhet t’i kërkojë përgjegjësi Nagavcit për dështimin e zëvendësimit të mësimit, “që dy të shtune radhazi”.

Prandaj ajo thotë se “nëse dështon edhe të shtunën e ardhshme zëvendësimi i orëve mësimore atëherë ministres së Arsimit duhet t’i kërkohet përgjegjësi dhe të shkarkohet menjëherë”.

“Arbërie Nagavci është përgjegjëse pse dështoi edhe këtë të shtunë zëvendësimi i orëve mësimore”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Por, sipas saj, kryepërgjegjësi është Albin Kurti i cili po e toleron një ministre të tallet me mijëra fëmijë e familje.

“Kryeministri duhet t’i kërkojë ministres Nagavci që të arrijë sa më shpejt marrëveshje me prindërit për zëvendësimin e orëve të humbura shkaku i grevës”.

“Partia në pushteti erdhi në Qeveri për t’i zgjidhur të gjitha ”çështjet kombëtare e ndërkombëtare”, por po dështon në ekonomi, shëndetësi, diplomaci e më së shumti po dështon në arsim”.

Ndërsa Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, konsideron se inati i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci nuk po lejon që të gjendet një zgjidhje për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Ai ka theksuar se edhe këtë të shtunë nuk do të ketë mësim.

Këshilli i Prindërve të Kosovës, sërish përmes një reagimi në rrjetin social ‘Facebook’, kanë pohuar se fëmijët e tyre nuk do të mbajnë mësim të shtunën, “JO mësimit të shtunave, JO mësimit me zor!”, është thënë nga ky Këshill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore