Bajrami për Kurtin: Është në panik – i dështoi nisma për ta nënshtruar opozitën me zgjedhje

SHFLETO
Valon Rashiti
18.06.2024 13:58
Loading Icons...

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti, tha të hënën se vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet parlamentare, derisa ka ironizuar me partitë opozitare për të cilat ka thënë se “nuk do të mund t’i shtyjnë zgjedhjet pafundësisht”.

Bajrami ka theksuar se në zgjedhje do të shkohet vetëm duke të kërkuar llogari për mashtrimet dhe propagandën dhe jo “duke mashtruar se nuk iu la opozita të punoni”.

“Me tenderë njëburimor për çdo ditë. Tash partia në pushtet është në panik sepse i dështoi nisma për ta instrumentalizuar dhe nënshtruar opozitën me zgjedhje e duke u shitur viktimë”, shkroi Bajrami në Facebook.

“Loja e dështuar e kryeministrit të dorëzuar. Asnjë banesë për çiftet e reja. Asnjë rrugë e përfunduar. Me dy-tri çerdhe të nisura e 160 të premtuara. Me shtrenjtim të rrymës. Me dështime të njëpasnjëshme në arsim e shëndetësi. Me asnjë rezultat në ekonomi”, shtoi.

Një ditë më parë, Kurti në 19 vjetorin e themelimit të LVV-së, theksoi se në vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet parlamentare.

“Në vitin 2025 do t’i kemi zgjedhjet parlamentare, meqenëse opozita nuk do të mund t’i shtyjë ato pafundësisht”, tha Kurti

Ai ka potencuar se partia e tij synon që të fitojë edhe në zgjedhjet komunale, teksa si shembull e ka marrë suksesin e klubit të futbollit Ballkani nga Suhareka që është shpallur kampion dhe fitues i kupës.

“Le ta marrim si shembull një ekip të suksesshëm futbolli, fjala vjen Ballkanin e Suharekës. Për qeverisje qendrore dhe komunale nga zgjedhjet parlamentare dhe lokale le ta fitojë LVV-ja në vitin 2025 kampionatin dhe kupën”, theksoi kreu i Qeverisë.

Kurti: Opozita s’mund t’i shtyjë pafundësisht zgjedhjet – LVV-ja do ta fitojë kampionatin edhe kupën