Lajme

Bajrami: Nuk shkarkohet bordi i ZRrE-së sepse zbulohen urdhërdhënësit e ngritjes së çmimeve


Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së

Dyshimet se Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike nuk bëri mirë me vënien e çmimeve të reja për konsumatorët e energjisë në Kosovë është konfirmuar nga dy shkallë të drejtësisë në Kosovë, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit.

Për më tepër këto gjykata kanë kërkuar që vendimet e kësaj kompanie të kthehen në pikën zero, të hiqen fare, duke i bërë këto vendime të pa ligjshme.

Edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që të anulojë vendimin për rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe këtë e konfirmoi edhe Gjykata e shkallës së dytë, ajo e Apelit, me bordin e ZRrE-së nuk po ndodhë asgjë.

Askush nga institucionet e vendit nuk ka ndërmarrë as një hap për të ndëshkuar këtë bord i cili nga dy gjykata të vendit u cilësua se morri vendime të gabuara.

Qeveria ka frikë ta shkarkojë bordin e ZRRE-së, për faktin se ata mund të tregojnë me instruksione të kujt kanë punuar deri tani, ka deklaruar Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së e cila ushtroi funksionin e Ministres së Financave në qeverisjen e Avdullah Hotit.

“Arsyeja se pse nuk janë duke e shkarkuar bordin e ZRRE-së, është sepse në momentin që e shkarkojnë, ZRRE-ja do të tregojë me instruksione të kujt ka punuar”, ka thënë ndër të tjera Bajrami.

E ftuar në Tëvë1, ajo ka thënë se gjatë konsultimit për ngritjen e tarifave të energjisë, asnjëri nga skenarët që u aplikua më pas nuk ka qenë në diskutim.

Sipas saj, ata kanë marrë një vendim krejtësisht tjetër krahas dokumentit që e kanë vënë në konsultim publik.

“Dokumenti që ka qenë në konsultim, asnjëri nga skenarët nuk ka qenë prezentë, as kur është ngritur tarifa e lartë me 85 përqind e as tarifa e ulët me 104 përqind. Pra, ata e kanë vënë në konsultim publik për të gjitha palët e interesit një dokument tjetër, mirëpo kanë marrë një vendim komplet diçka tjetër”, tha Bajrami.

Pas konstatimit të shkallës së dytë se çmimet u ngritën pa arsye, ZRrE ka bërë një hap të ri, është ankuar në Gjykatën Supreme.

“ZRRE është duke u konsultuar me të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës si dhe palët tjera të interesit, që sa më shpejtë të gjejë zgjidhje për mënyrën e implementimit të vendimit”, thuhej në njoftimin për media të ZRRE-së më 23 maj të këtij viti.

Kur u thirr për të raportuar në Komisioni parlamentar për Ekonomi lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit, që konfirmoi atë të Gjykatës Themelore për pezullimin e faturave me çmim të rritur, takimi u mbajt me dyer të mbyllura dh fare pak u tha pas tij.

Partitë opozitare kërkuan në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës shkarkimin e këtij bordi.

Historia nisi kur më 16 mars PDK paditi Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) si dhe kishte iniciuar komision hetimor parlamentar nën dyshimin për keqpërdorimin e dhjetëra miliona eurove nga ana e qeverisë gjatë krizës energjetike.

Më 9 shkurt, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike në Kosovë publikoi një tabelë ku sqarohej rritja e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak, varësisht nga shpenzimet, bazuar në vendimin e fundit për shtrenjtimin e rrymës për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë orë.

Bazuar në tabelën e publikuar nga ZRRE, për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë orë, faturat mbesin të njëjta, meqenëse blloku tarifor nga 600 kilovatë orë është zhvendosur në 800 kilovatë orë.

Për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë pra më saktësisht 900 kilovatë orë, nëse deri më tani kanë paguare në vlerë prej 58,5 euro, me tarifat e reja, faturimi do të ketë vlerën e 68,6 euro, apo 5,1 euro më shumë.

Një ditë më parë, më tetë shkurt, ZRRE, me pesë vota për dhe asnjë kundër kishte marrë vendimin për shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë orë për një muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore