Lajme

Bahreini cakton kreun e misionit diplomatik në Izrael


Bahreini ka vendosur Khalid Al Jalahma si kreun e misionit diplomatik në Izrael. Lajmin e ka bërë të ditur agjencia e lajmeve BNA, pas një marrëveshjeje për të rikthyer marrëdhëniet vitin e shkuar.

Jalahma ka mbajtur më parë postin e kreut të Drejtorisë së Operacioneve në Ministrinë e Jashtme të Bahreinit. Ai ka shërbyer gjithashtu si zëvendës shef i misionit të mbretërisë së Bahreinit në ambasadën e SHBA-së.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi, tha se një ekip nga vendi i vogël i Gjirit Persik pritet të mbërrijë në javët e ardhshme. Ata do të finalizojnë detajet e fundit për hapjen e ambasadës së Bahreinit në Izrael.

Ende nuk dihet nëse kjo e fundit do të jetë e vendosur në Jerusalem apo Tel Aviv.

Kjo lëvizje nga Bahreini ndjek atë të bërë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Më 1 mars, ambasadori i Emirateve mbërriti në Izrael. Këta të fundit e kanë vendosur ambasadën në Tel Aviv.

Në shtator 2020, Bahreini dhe Emiratet nënshkruan një marrëveshje me Izraelin për normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve. Ndërmjetës për këto marrëveshje, ishte SHBA-ja.

Të tre vendet, kanë ndarë të njëjtat shqetësime për sa i përket Iranit.

Bahreini ka qenë një ndër vendet më neutrale në Gjirin Persik. Për shkak të kësaj pozite, është bërë shpesh faktor stabilizues në pellgun persik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore