Shqipëria

Aziatikët që po u marrin punën “nazelinjve” shqiptarë


Nazmual Haque është një 40-vjeçar, i cili ka mbërritur prej pak kohësh në Shqipëri, nga Bangladeshi. Puna e tij në një punishte të mbetjeve të kafshëve nuk është ndër më të pëlqyeshmet.

Në Lezhë, kjo punishte merret me përpunimin e atyre çfarë ngelet nga zorrët apo stomakët e kafshëve të ndryshme. Pavarësisht shijes së mirë që ato servirin në tryezë, prejardhja, është pak të thuhet, se është jo e këndshme.

Mirëpo në Bangladesh, nuk ka as mundësi të tilla. Këtë e pohon vetë Haque, i cili faktikisht, është thjesht një nga dhjetë punonjësit e ardhur nga Bangladeshi në punishten lezhiane.

Një tjetër, Abudalepi, 28 vjeç, thotë se do të qëndrojë në Shqipëri për sa kohë të ketë mundësi. Kjo, pasi nuk ka zgjidhje tjetër. “Nevoja për bukë na sjell këtu. Duhet të sigurojmë të ardhura për familjet tona”, shton ai.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri nuk është ndër më të lartët e mundshëm. Me 4 mijë e 800 euro vjetorë për kokë, është në një mesatare rajonale dhe në nivel të ulët në Evropë. Mirëpo, është thuajse sa dyfishi i atij të Bangladeshit.

Mbi këto, Shqipëria nuk ka një traditë mikpritjeje të emigrantëve. Përkundrazi, tradita e vërtetë është ajo e emigrimit larg Shqipërisë.

Një realitet i dyfishtë, ku medalje të së njëjtës anë, bien ndesh në ideologji. Mbi të njëjtin fenomen, dy palë ndahen radikalisht.

Njëra kërkon ikjen nga Shqipëria dhe tjetra ardhjen.

Punë pa djersë

Një deklaratë paraelektorale e kryeministrit Edi Rama ngjalli diskutime të shumta në Shqipëri.

“Nëse shqiptarët nuk duan të punojnë, kompanitë le të punësojnë njerëz nga Bangladeshi”.

Ky dukej si një realitet i largët, por prezent tashmë.

Kjo, edhe falë procedurave shumë të thjeshtuara që Shqipëria ka mbi këta punëtorë.

Në Bangladesh, jetojnë 163 milionë banorë. Periodikisht, në mënyrë vjetore, 400 mijë prej tyre largohen në emigrim, drejt Perëndimit.

Pjesë e Perëndimit të Bangladeshit është edhe Shqipëria.

Shqipëria ka pasur kahera një nivel të lartë papunësie. Kjo, mbulohej sipas ekspertëve duke shfrytëzuar punën sezonale, qoftë brenda vendit, qoftë jashtë, në Greqi apo Itali.

Mirëpo, si një prej arsyeve të papunësisë, është përmendur edhe ajo e mospranimit të punëve që cilësohen si të “rëndomta”.

Vetë kryeministri Rama ka qenë ai që marrjen e mandatit të parë, e përkufizoi me një shprehje: “Punë ka, por nuk ka profesionistë”.

Këtu Rama u referohej sigurisht profesioneve, siç e ka shpjeguar më shumë se një herë edhe personalisht. Mirëpo, një referim, ka ardhur edhe për të rinjtë që nuk pranojnë punë të çfarëdoshme dhe me pagesa të mjaftueshme, por jo të majme.

Pra, në spektrin e një realiteti shqiptar, të rinjtë shohin punët “e thjeshta e të mirëpaguara”. Rrjedhimisht, punët e “dorës së dytë”, mbesin bosh.

Të njëjtën ankesë kanë pasur edhe hotele të ndryshme. Gjatë sezonit, ato kanë raportuar për Albanian Post se mungesa e stafit është problem thelbësor. Kjo, pasi të rinjtë nuk pranojnë ose shkojnë në emigrim.

Në këtë sektor, sërish e kanë zënë edhe persona nga Azia vendin. Jo vetëm nga Bangladeshi apo Pakistani, por edhe nga Filipinet.

Pra, një shkëmbim i vërtetë identiteti shërbimesh.

Shkëmbim, i cili nuk dihet nëse i volit apo jo Shqipërisë. Por, momentalisht i domosdoshëm, për shkak të “nazeve” të të rinjve shqiptarë.

“Naze”, të cilat bangladeshasit, as që i njohin!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore