Lajme

Avokati i Veselit: Ky është plani i Prokurorisë, ta zgjasë gjykimin me dekada


Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kërkuar gjykatësit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, që të mos e lë të lirë Prokurorinë në menaxhimin e çështjes, pasi sipas tij, ajo po tenton që të ndërtojë një proces që do të zgjasë mbi 10 vite.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me dëshmitarët dhe provat e paraqitura, po tenton ta zgjasë gjykimin, përkundër që deklaroi se nuk ka ende asnjë dëshmi për përfshirjen direkte në krime për asnjë prej të akuzuarve, ka deklaruar avokati mbrojtës i Veselit.

Kjo qasje e prokurorisë, sipas mbrojtjes, e dëmton drejtësinë ndërkombëtare.

“Gjithçka është mbështetur në ngjarje, ku asnjëri prej të akuzuarve nuk është i përfshirë”.

Kadri Veseli

ZPS ka dhënë vlerësimet për kohën që i duhet për dëshmitarët. Por, këto vlerësime kërkojnë më shumë se 1mijë e 300 orë vetëm që t’i pranojë pyetjet e prokurorisë.

“Në rastin tonë, Prokuroria kërkon 1 mijë e 300 orë vetëm për pyetje të drejtpërdrejta”, ndërsa “në  rastin e Millosheviçit, prokuroria shfrytëzoi vetëm 360 orë”, ka deklaruar tutje avokati Emmerson.

Ai ka përllogaritur edhe vitet që do të mund të zgjaste kjo procedurë me këtë që po kërkon ZPS.

“Sipas kësaj përllogaritje, do të zgjaste gati 11 vite. Përveç dëshmitarëve, prokuroria ka prezantuar 16 mijë prova materiale. Pra, Prokuroria duhet të jetë në gjendje të shtrëngojë rripin dhe të provojë çështjen e saj, se po u lejua me këto shifra do të vazhdojë për 10 vite”.

“Kjo nuk i ndihmon drejtësisë. Mohon drejtësinë për të akuzuarit, për viktimat dhe dëshmitarët. Është fatkeqësi dhe e bën Gjykatën qesharake. Pra, dikush duhet t’i thotë Prokurorisë që ta menaxhojë punën e vet.

Emmerson tutje ka deklaruar se e dinë se çfarë përpiqen të arrijnë këto akuza, andaj sipas tij Prokuroria nuk duhet të mos marrë parasysh kohëzgjatjen e gjyqit.

Avokati Ben Emmerson

“Në qoftë se nuk ndërhyni dhe veproni, mund të themi se ia keni liruar dorën Prokurorisë”.

“Mendoj se është pjesë e funksioneve tuaja për t’i vendosur afate Prokurorisë. Ju ftoj të pranoni përgjegjësitë e vërteta për të vendosur këtë. Nëse nuk e bëni, duhet ta kuptoni se situata ka dalë jashtë kontrollit”, ka thënë avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Emmerson gjatë seancës statutore.

 

Seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së caktohet më 24 mars

Seanca e radhës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është caktuar për 24 mars.

Ndërkaq, mbrojtja ka kërkuar që më 22 shkurt të mblidhen për çështjen e mbajtjes në paraburgim të tyre.

Megjithatë, gjyqtari Nicolas Guillou ka thënë se vendimi do të merret më pas për këtë.

“Do të takohemi përsëri më 24 mars dhe do t’ju informoj nëse do të mblidhemi për seancën më 22 shkurt, pasi të marr parashtrimet me shkrim të të gjitha palëve”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore