Lajme

Avokati i Veselit: Dosja gjyqësore është dy herë më e madhe se ajo e Millosheviçit


Avokati i Kadri Veselit, Ben Emerson

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emerson, ka deklaruar se dosja gjyqësore e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara është dy herë më e madhe se ajo në rastin e gjykimit të Sllobodan Millosheviçit.

Ai ka kërkuar që të mos ketë më vonesa të afateve gjyqësore dhe ka pyetur se sa kohë do të duhet për të filluar dhe përfunduar ky gjyq, përfundimisht, meqë prokuroria pohoi që ka nevojë për 300 dëshmitarë dhe se kjo periudhë do të kërkojë tre vjet gjyq, e që sipas tij, e gjithë kjo është krejt në disporporcion krahasuar me gjyqin kundër Millosheviçit.

“Është dy herë me e gjatë sesa dosja paragjyqësore kundër Sllobodan Millosheviçit në Tribunalin e Hagës, i cili kishte të bënte me konfliktet në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë gjatë një periudhe 10-vjeçare”.

“Dhe është tre herë më e gjatë se dosja paragjyqësore në çështjen për gjenocid kundër Karaxhiçit për masakrën e Srebrenicës dhe një numër të krimeve kundër njerëzimit, të bëra kundër popullatës myslimane në Bosnje”, u shpreh ai.

Po këtë të mërkurë, i është vazhduar masa e paraburgimit Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kjo është bërë e ditur nga avokati i tij, Gregory Keohe, në konferencën për ecurinë e çështjes së Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

“Unë e kuptoj që i nderuari gjykatës ka marrë vendim për mbajtjen në paraburgim sot paradite”, tha Gregory duke shtuar se do të dërgojnë ankesë për këtë vendim.

Avokati i Thaçit gjithashtu ka kërkuar nga Gjykata Speciale një seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet për mbajtjen në paraburgim të klientit të tij si dhe të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Avokati i Thaçit, Gregory Keohe

Sipas tij, Prokuroria në Gjykatën Speciale po bënë komente të maskuara duke përmendur konfidencialitetin dhe duke thënë se Policisë së Kosovës nuk mund të besohet lidhur me garancën se katër të akuzuarit do të respektojnë kushtet e vendosura nga gjykata.

“Kjo procedurë duhet të trajtohet në seancë të hapur, në mënyrë që të dëgjojmë se cilat janë rezervat që ka Prokuroria mbi Policinë e Kosovës. Këta zotërinjtë mbahen në burg ndërkohë që ka një vit që presin gjykimin, ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të respektojnë kushtet e vendosura”, ka thënë Smith.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020. Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore