Lajme

Avokati i Popullit: Vendimi i ZRrE-së për pagesën e energjisë elektrike në veri është diskriminues


Avokati i Popullit, Naim Qelaj në një konferencë për medie

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) për pagesë të faturave të energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Kosovës, “është diskriminues”, ka thënë Avokati i Popullit, Naim Qelaj në një konferencë për medie.

“Vendimi i gjykatës në shkallë të parë është aprovuar padia dhe padyshim ne e kemi pritur një vendim të tillë nuk kemi pritur një vendim tjetër sepse vazhdojmë me konsiderua çdo trajtim të pabarabartë të qytetarëve në këtë rast si diskriminues dhe si të kundërligjshëm dhe kundërkushtetues”, thotë Qelaj.

Ndërsa lidhur me krizën energjetike në vend dhe vendimi ne qeverisë për mbështetje të KEK-ut, Qelaj thotë se ende nuk kanë ndonjë qëndrim veçse thekson se nëse konstatojnë që ka shkelje të të drejtave të njeriut do të reagojnë.

“Sa i përket vendimit të qeverisë për subvencionim e KEK-ut që po ndodh ditëve të fundit, ne nuk kemi dalë me një qëndrim, padyshim që jemi duke e përcjellë me kujdes situatën dhe krejt veprimet që i ndërmerr qeveria dhe nëse konstatojmë që këto veprime paraqesin shkelje të të drejtave të njeriut padyshim që kemi me reaguar mirëpo gjithmonë konsideroj që këto raste forma më efikase e reagimit është gjykata sepse edhe ju e patë shkallën e zbatimit të rekomandimeve të avokatit të popullit, pavarësisht faktit që vërehet një rritje e zbatimit të rekomandimeve megjithatë shkalla e zbatimit mbetët e ulët”, ka thënë Qelaj.

Ndërsa nga ankesat e paraqitura nga qytetarët, 665 raste janë hapur për hetim dhe në këtë numër përshihen edhe 44 raste të hapura sipas detyrës zyrtare dhe 12 raste të cilat janë hapur pas raportimit të mediave.

“Edhe më tej vazhdojnë që qytetarët tanë me u përballë me shumë sfida që lidhen kryesisht me zvarritje të procedurave gjyqësore ku zënë 26% të vendit të tyre në statistikave tona. Pastaj cenimin e së drejtës për një mjet efikas juridik pra funksionimin e mirëfilltë të zbatimit të ligjit dhe barazisë për qytetarët në trajtim me ligjin që zënë 20% të ankesave dhe gjithashtu mbetet shumë shqetësuese mbrojtja e të drejtave në punë të cilat padyshim kanë 12% të numrit të ankesave të cilat veç u prezantuan sot para jush”, ka treguar thotë Avokati I Popullit.

Sipas Qelajt, Avokati i Popullit si institucion ka mbyllur 753 raste gjatë këtij viti dhe 29 prej tyre janë mbyllur për shkak të mos interesimit të ankuesit.

Naim Qelaj, Avokati i Popullit të Kosovës

Në këtë konferencë për medie, zëdhënësi i Institucionit të Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku ka treguar se nga një janari deri në muajin dhjetor, i kanë pranuar 1 mijë e 536 ankesa nga qytetarët, për mos zbatim të ligjeve në Kosovë, në të cilat raste janë të përfshirë 2 mijë e 387 persona.

“Prej 1 janari deri në dhjetor 1.536 ankesa janë pranuar nga qytetarë në zyrën qendrore. Numri i personave të përfshirë janë 2.387. Raste të hapura janë 665 për hetim. Në këtë numër përfshihen 44 raste të hapura. Vazhdimisht mbizotërojnë meshkuj për ankesa. Për një vit të punës kemi 753 raste të mbyllura. 317 janë zgjedhur pozitivisht. 162 janë të papranueshme. 29 raste janë mbyllur për mosinteresim të ankuesit”, ka treguar specifikisht Çollaku.

Ai më tej ka bërë të ditur se Avokati ka lëshuar 147 rekomandime, prej të cilave zbatim kanë gjetur 29% prej tyre.

22 rekomandime janë për Qeverinë, 26 për Ministrinë e Drejtësisë, 9 për Ministrin e Shëndetësisë.

“Prej ankesave që janë pranuar 462 janë ministritë që janë përgjegjëse, gjykata me 429 raste, komunat me 232 sosh, Policia me 90, prokuroritë me 63. Rastet e hetuara janë 251 raste i janë drejtuar gjykatave, 207 kërkojnë të drejtën e tyre juridike, 76 në barazinë para ligjit, 31 janë raste të hetuara që kanë të bëjnë me fëmijët”.

“147 rekomandime ka lëshuar Avokati i Popullit duke iu drejtuar autoriteteve, të zbatuara janë 29%. Autoritet përgjegjëse ku Qeveria ka 22 rekomandime në pritje për zbatim, Ministria e Drejtësisë 26 për zbatim, Ministria e Shëndetësisë 9”.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka thënë se vitin 2021 e filluan me sfida si pandemia dhe zgjedhjet.

Sipas tij, qytetarët vazhdojnë të përballen me zvarritjen e procedurave gjyqësore.

“Edhe më tej vazhdojnë qytetarët të përballen me sfida të zvarritjes së procedurave gjyqësore. Situata me pandeminë ka ndikuar edhe në thellimin e pabarazisë sociale. Gjendja e ekonomive familjare vazhdon të jetë e rënduar. Rreziku i shkallës së varfërisë është i lartë”.

“Duke pasur parasysh që ky vit është përcjellë me sfida tema e parë ka të bëjë me ndikimin e situatës s krijuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Nga të gjeturat ndërprerja e këtyre shërbimeve ka qenë e kundërligjshme dhe kemi rekomanduar te qeveria dhe ministria e shëndetësisë të ndërprenë një praktikë të tillë. Një raport tjetër ka të bëjë licencimin e institucioneve publike”.

Sipas tij, ka qenë shqetësuese zbatimi i Ligjit për Shëndetësi e ligjeve të tjera në fuqi, duke bërë thirrje për zbatim të ligjeve e rekomandimeve të këtij institucioni.

“Poashtu raporti është lidhur me ndikimin e pandemisë në të drejtat e njeriut. Është konstatuar se sistemi shëndetësor ka mangësi për shkak të mos kontributit buxhetor dhe Avokati ka rekomanduar rritjen e buxhetit për spitalet”.

“Raporti i dytë lidhet me rastet e raportuara nga mediat për mbrojtjen e dhunës në familje dhe raporti i tretë është eksoficio lidhet me ndikimin e pandemisë dhe përfshinë të drejtat e njeriut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore