Lajme

Avokati i Popullit pranon ankesën e AKK-së për Projektligjin për Inspektim Administrativ


Ilustrim

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka dorëzuar tek Institucioni i Avokatit të Popullit ankesën e Komunave lidhur me Projektligjin për Inspektimin Administrativ.

AKK ka njoftuar se ankesa është dorëzuar dy ditë më parë, dhe se ajo është pranuar nga Avokati i Popullit si e pranueshme.

“Ankesa është paraqitur më 24 Janar 2022, lidhur me pohimet për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut apo keqpërdorim nga autoritetet publike në Projektligjin për Inspektimin Administrativ. Prandaj, në pajtim nenin 21.1.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, ka vendosur si të pranueshme ankesën, për hetimin e shkeljeve eventuale të pohuara”, thuhet në njoftim të AKK-së.

Projektligji po konsiderohet nismë për “disiplinim” të administratës publike.

Me draftin e Qeverisë, me ligjin e ri do t’i lejohet Inspektoratit administrativ që të hyjë në zyrë apo çfarëdo objekti dhe të ketë qasje në pajisje të caktuara pa paralajmërim, pa leje të subjektit të inspektuar dhe pa marrë parasysh oraret e punës.

Inspektori do të ketë të drejtë të hyjë në zyrë me gjithë dëshirën e subjektit të inspektuar edhe me asistencë të Policisë në rast se refuzohet.

Në projekt ligj më tej thuhet se gjatë inspektimit, inspektori ka të drejtë të inspektojë dokumentacionin elektronik e fizik, të fotokopjojë dokumente, të kopjojë audio-video incizime, të fotografojë persona, lokale dhe ndërtesa për qëllime të inspektimit.

Qeveria e Kosovës

Ndërsa për pa-ligjshmëritë eventuale, ky Inspektorat mund të shqiptojë gjoba nga 500 deri në 3000 euro, për zyrtarët dhe institucionin.

Kryetarët e komunave të Kosovës janë ankuar se s’janë konsultuar fare nga Qeveria për këtë projekt ligj, duke i vënë ata para një akti të kryer.

Të parët e pushtetit lokal e kanë konsideruar cenim të demokracisë lokale, andaj edhe janë dalë kundër procedimit të mëtutjeshëm të këtij projektligji, që, sipas tyre, përbënë edhe shkelje kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore