Lajme

Avokati i Popullit kërkon të ndalet diskriminimi i të afërmve të profesorëve në kandidimin për doktoratë


Avokati i Popullit ka kërkuar nga Universiteti i Prishtinës që të ndalet diskriminimi i të afërmve të profesorëve në kandidimin për doktoratë.

Përmes një raporti me rekomandime në ankesat e parashtruara nga ankuesit, avokati i popullit ka kërkuar “të anulohet kriteri diskriminues i përcaktuar në pikën 13 të Konkursit për studimet e doktoratës të UP-së, i datës 23 tetor 2020, me nr.prot.2/262”.

“Kandidatët i nënshtrohen parimit të ndalimit të konfliktit të interesit sipas legjislacionit në fuqi, Kodit të Etikës dhe Udhëzuesit për Parandalimin e Konfliktit të interesit të Këshillit të Etikës në UP”.

Tutje në komunikatë thuhet se përmes postës elektronike, avokati i popullit ka pranuar ankesën e ankuesve, Vegim Vula, Zana Dragidella, Ardi Ahmeti të cilët kanë pohuar se janë kandidatë për studimet e doktoratës, dy të parët në Fakultetin e Mjekësisë dhe ky i fundit në Fakultetin Ekonomik.

Duke iu referuar argumenteve, për të parandaluar diskriminimin e mëtutjeshëm, avokati i popullit “ i rekomandon UP-së të krijojë politika të përshtatshme për të parandaluar çdo praktikë që paraqet trajtim të pabarabartë me rastin e publikimeve të konkurseve publike të tilla”.

Po ashtu, avokati i popullit ka kërkuar që “UP-ja në të ardhmen, dilemat e tilla për vlerësim të konfliktit të interesit t’i adresojë pa zvarritje në institucionin përgjegjës për vlerësimin e konfliktit të interesit – Agjencisë Kundër Korrupsionit, si organ përgjegjës”, thuhej në komunikatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore