Lajme

Avokati i Popullit kërkon nga MPJ-ja publikimin e shpenzimeve të Prindon Sadriut për karburant


Vjosa Osmani dhe Prindon Sadriu

Avokati i Popullit, përmes një vendimi, ka rekomanduar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, që t’i bëjë publike shpenzimet për karburant të diplomatit, Prindon Sadriut, në periudhën kohore shkurt 2019 – shkurt 2022.

Avokati i Popullit ka konstatuar se ministria e jashtme ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve për lejimin në qasje të dokumenteve publike.

“Avokati i Popullit konstaton se në rastin e ankueses MPJD-ja ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve lidhur me mundësimin, përkatësisht lejimin për qasje në dokumentet publike në përputhje me kërkesën e parashtruar të ankueses, e drejtë kjo e garantuar me akte vendore dhe me instrumente ndërkombëtare”, thuhet në dokumentin e Avokatit të Popullit.

Ky institucion ka treguar se do të presë brenda periudhës 30 ditore një përgjigje me shkrim nga MPJD për veprimet konkrete që do të ndërmerren lidhur me rastin në fjalë.

Me 13 mijë euro ishte dënuar Ministria e Punëve të Jashtme, pasi Agjencia për Informim dhe Privatësi kishte konstatuar se ministria e drejtuar nga Donika Gërvalla – nuk kanë ofruar qasje në dokumente publike për shpenzimet për udhëtime (karburante) të diplomatit Prindon Sadriu gjatë periudhës shkurt 2019- shkurt 2022.

Sipas vendimit të AIP – MPJ është gjobitur me tre mijë euro për shkak të moszbatimit të vendimit Nr A-272/2022 për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike, derisa 10 mijë të tjera për moszbatimin e vendimit Nr A-272/2022 dhe për pamundësimin e realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike.

Sipas dokumentit, ky vendim hyn në fuqi shtatë ditë pas publikimit.

Avokati i Popullit

Kush është Prindon Sadriu që i pati quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”?

Prindon Sadriu, burri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i kishte quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pasi raportuan se Osmani, sa ishte deputete, ishte kompensuar me 4 mijë euro, për derivatet e shpenzuara, përkundër se ajo jetonte në Prishtinë dhe sipas rregullores deputetët që jetojnë në kryeqytet nuk kanë të drejtë kompensimin.

Sipas tij e gjithë kjo piketim e Osmanit nga mediat e ka një qëllim, “njollosjen e punës së presidentes”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikes, e persona të përfshir në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork 1 mijë e 200 dollarë ne Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin 50 dollarë për person (drekat e darkat iu shkonin deri në mijëra dollarë)”, pati shkruar Sadriu në rrjetin e tij social në Facebook më 8 shkurt.

“Dhjetëra miliona euro keqpërdorime të qytetarëve përmes të cilave keni blerë televizione, portale e paguani ‘qëpues’ për t’u munduar ta njollosni punën e ndershme të Presidentes. Për juve shteti është vetëm mjet për mbrojtjen e interesave biznesore e kriminale. Kaq!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore