Lajme

Avokatët e Gucatit dhe Haradinajt marrin në pyetje dy punonjësit e ZPS-së


Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Koordinatorja e hetimit në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Zdenka Pumper dhe udhëheqësi i ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve, Miro Jukiç, janë ftuar përsëri për të dhënë dëshminë e tyre para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin e gjykimit të ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Paraqitja e dy këtyre dëshmitarëve në Gjykatën Speciale ka ardhur pasi që trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Charles Smith e ka miratuar kërkesën e avokatit të Gucatit për të bërë pyetje plotësuese këtyre dy dëshmitarëve.

“Mbrojtja duhet të jetë e gatshme për të shpjeguar rëndësinë e linjës së pyetjeve që kanë të bëjnë me materialet. Paneli po ashtu kujton se për qëllime të sigurisë dhe mos nxjerrje të identitetit të dëshmitarëve dhe interesave të drejtësisë mbrojtja është udhëzuar që kryejë këto pyetje plotësuese në seancë private”, ka thënë Smith.

Zdenka Pumer ishte dëshmitarja e parë e ZPS-së në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Koordinatorja e hetimeve në ZPS kishte deklaruar se është përfshirë në kontrollin e çështjes nga 25 shtatori 2020 ndërsa deri në këtë periudhë, ajo ka thënë se nuk e di kush ka qenë hetuesi që është marrë me çështjen OVL-UÇK.

Dëshmitarja në rastin Gucati-Haradinaj, Zdenka Pumper

Ndërsa Miro Jukiç ishte dëshmitari i tretë i ZPS-së në këtë proces gjyqësor.

Në kohën e rrjedhjes së dokumenteve ai ka qenë punonjës i sigurisë së dëshmitarëve në ZPS-së dhe gjatë dëshmisë së tij ka thënë se ka kontaktuar me rreth 30 dëshmitarë.

Miro Jukiç, dëshmitari i tretë në rastin Gucati-Haradinaj

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore