Shqipëria

Autoriteti i Konkurrencës raportoi për vitin 2021, “përplasen” Tabaku dhe Ibrahimaj


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në seancën plenare të 12 majit ka deklaruar se Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka kryer detyrën e vet. Ajo përmendi faktin se nuk është analizuar Porti i Durrësit dhe ai i Vlorës.

Nga foltorja e Kuvendit Tabaku akuzoi qeverinë për krizën e rritjes së çmimeve. Ndërsa theksoi faktin se Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka kryer rolin e saj për të ndërhyrë në rritjen e shpejtë të çmimeve.

“Do të kisha dashur të diskutoni çështjen  për rritjen e çmimeve. Qeveria nuk ndërhyn, çmimet vazhdojnë të rriten dhe këtu vetëm ngrihen struktura. Autoriteti i konkurrencës nuk mori masa”, vijoi Tabaku.

Sipas Tabakut rritja e çmimeve ka nisur që prej shtatorit të vitit 2021, ndërsa ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh se inflacioni nuk është rritur gjatë vitit të kaluar.

“Në vitin 2021 inflacioni nuk ishte rritur, ka filluar të rritet brenda këtij viti. U rrit në janar me 3.7%, në shkurt me 3.9%, në mars me 5.7% dhe në prill me 6.2%. e vërtetë u rrit, por filloi të rritet këtë vit”, theksoi Ibrahimaj.

Kjo e fundit vërejti se konsumi nuk ka treguar shenja rënieje, “siç shfaq zakonisht në periudha inflacioniste”.

“Autoriteti i konkurrencës ka qëllimet e veta që janë të përcaktuara me ligj”, vijoi Ibrahimaj në interpelancë me Tabakun.

Ndërsa duke ju përgjigjur akuzave për ndërtimin e porteve, Ibrahimaj iu drejtua Tabakut se, “nuk është turp të bëhen porte dhe aeroporte”.

Nga ana tjetër Tabaku iu përgjigj Ministres se, “nuk është turp të bësh ‘PPP’ por turp është që të arrestohesh për ‘PPP-të’”.

“Tregu ka sot probleme më jetike dhe pres që AK-ja të mos merret me tregun e ‘Play Station 5’ por me gjëra më të rëndësishme. Çmimet e produkteve janë rritur me kohë, janë rritur çmimet për miellin, për sheqerin, për naftën që nga shtatori por ju e keni mohuar dhe sot vini këtu dhe gënjeni”, ravijëzoi Tabaku.

Interpelenca mes tyre erdhi pasi kreu i Autoriteti të Konkurrencës, Denar Biba, shpalosi raportin për vitin 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore