Shqipëria

Autoritetet shqiptare dhe izraelite nënshkruajnë marrëveshje për sigurinë kibernetike


Autoritetet shqiptare dhe izraelite nënshkruan të mërkurën e 1 shkurtit një memorandum mirëkuptimi (MoU) mes palëve për sigurinë kibernetike.

Lajmi u bë i ditur nga Drejtoria Kombëtare Kibernetike e Izraelit (INCD).

“Sot u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi midis Drejtorisë Kombëtare Kibernetike të Izraelit (INCD) dhe Autoritetit Kombëtar për çetifikimin elektronik dhe sigurinë kibernetike të Shqipërisë, me qëllim forcimin e aftësive mbrojtëse”, shkruan agjencia izraelite.

Shqipëria ravijëzoi më 19 janar marrëdhëniet e shkëlqyera me Izraelin edhe pas formimit të qeverisë së Benjamin Netanyahu-t.

Për këtë mjaftoi një takim mes kryediplomatit izraelit Eli Cohen dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Davos.

Cohen bëri me dije se palët u dakordësuan për bashkëpunimin në tre fusha kryesore.

“U takova në Davos me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. E falënderova për vendimin e rëndësishëm për të ndërprerë marrëdhëniet me Iranin, eksportuesin numër një të terrorizmit në botë. E falënderova gjithashtu për mbështetjen e tij ndaj Izraelit dhe luftën kundër antisemitizmit. Ne ramë dakord të promovojmë bashkëpunimin kryesisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe kibernetikës dhe të forcojmë lidhjet midis vendeve”, theksoi ai.

Qeveria e mëparshme e Yair Lapid u dakordësua në fund të muajit tetor se do ta ndihmonte Shqipërinë në luftën kibernetike kundër Iranit, pasi te ky i fundit shihte një armik të përbashkët të sigurisë publike.

Ky u pa si rezultati më konkret i vizitës së kryeministrit Rama asokohe në Jerusalem.

Kreu i qeverisë do të takohej jo vetëm me ish-homologun e tij izraelit, Yair Lapid, po edhe zyrtarë të lartë të shtetit hebre në çështjet e sigurisë kibernetike.

Izraeli është prej vendeve më të zhvilluara në teknologjinë e informacionit dhe luftën kibernetike ndaj Iranit, e ka filluar që në vitet e hershme 2000.

Çështje të tjera do të trajtoheshin po ashtu në tryezë, si zgjerimi i turizmit apo shkëmbimeve tregtare.

Rritja e numrit të sulmeve kibernetike që po kryhen nga Irani kundër Shqipërisë ka çuar në tensione mes dy shteteve, ku Tirana i ndërpreu marrëdhëniet me Iranin në shtator.

Konkretisht më 7 shtator, qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike.

Asokohe, lajmi u bë i ditur nga vetë Rama, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Kjo pasi, sipas kreut të qeverisë, Irani ishte përgjegjës i sulmit kibernetik që shkatërroi të dhënat e qeverisë shqiptare dhe mbylli shërbimet.

Irani dënoi “pretendimet e pabaza” të Shqipërisë dhe e cilësoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike si të pamenduara dhe dritëshkurtëra.

Kujtojmë që Shqipëria është vendosur krah Izraelit edhe në votime të ndryshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi në vigjilje të vitit të ri një rezolutë duke kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi pasojat ligjore të pushtimit të paligjshëm të territoreve palestineze nga Izraeli.

Rezoluta u mbështet nga 87 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria dhe 25 vende të tjera votuan kundër dhe u regjistruan 53 abstenime.

Më herët, Shqipëria abstenoi për rezolutën që detyronte Izraelin që të asgjësonte të gjitha armët e tij bërthamore dhe t’i vendosë vendet e tij bërthamore nën kompetencën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore