Autoritetet shqiptare dërgojnë ngushëllime për familjet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Marok
Klevis Hoxhaj
09.09.2023 10:00Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar përmes një statusi në median sociale “X” lidhur me zhvillimet tragjike në Marok pas një tërmeti shkatërrues 6.8 ballësh.
“Zemërthyer nga tërmeti i tmerrshëm që goditi Marokun. Ne qëndrojmë me popullin e Marokut dhe u dërgojmë ngushëllimet tona të sinqerta familjeve të prekura nga kjo tragjedi”, shkruan kreu i shtetit në statusin e tij.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dërgoi gjithashtu një mesazh ngushëllimi për familjet e viktimave dhe të plagosurve.
“E tronditur nga tragjedia e shkaktuar nga tërmeti shkatërrues në Marok. Zemrat tona dhe lutjet tona shkojnë për familjet e viktimave dhe të plagosurve”, shkruan në reagimin e saj kryediplomatja shqiptare.
Kujtojmë që, një tërmet i rrallë dhe i fuqishëm goditi Marokun vonë të premten në mbrëmje, duke vrarë qindra njerëz dhe duke dëmtuar ndërtesa nga fshatrat në malet e Atlasit deri në qytetin historik të Marrakech-it.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Associated Press” dhe multimediali amerikan “CNN”.
Tërmeti ka vrarë të paktën 632 njerëz, duke plagosur më shumë se 320, duke dëmtuar ndërtesa dhe duke i detyruar banorët e tmerruar të largohen nga shtëpitë e tyre në rrugë për siguri.
Televizioni shtetëror i Marokut raportoi dyfishimin e numrit të viktimave të shtunën në mëngjes, duke cituar ministrinë e Brendshme.
Të paktën 632 viktima nga tërmeti i fuqishëm që goditi Marokun