Shqipëria

Autoritetet e Vatikanit diskutuan me Begajn për ndikimin e Shqipërisë në rajon


Ati i Shenjtë Papa Françesku priti të premten e 2 dhjetorit në audiencë presidentin e Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj.

Sipas njoftimit zyrtar për media të Vatikanit, palët diskutuan për disa çështje.

Presidenti shqiptar u shoqërua nga Zonja e Parë, Armanda Begaj.

Gjatë diskutimeve mes kreut të shtetit dhe Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet e mira ekzistuese dypalëshe dhe synimi për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sektorë me interes të përbashkët.

Parolin shoqërohej nga Mirosław Wachowski, Nënsekretar i Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Më tej, u theksua kontributi pozitiv i komunitetit katolik në shoqërinë shqiptare.

“Më pas vëmendja u kthye në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe çështje të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor”, vëren zyra për shtyp e Vatikanit.

Më herët, Ati i Shenjtë u vizitua edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Kujtojmë që Begaj mirëpriti në Presidencë të enjten e 1 dhjetorit, homologun e tij gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore