Lajme

Autori “mërmëriste” me vete para sulmit me gaz, çfarë ndodhi në Brooklyn?


Të paktën 16 persona u plagosën mëngjesin e 12 prillit në një stacion metroje të Brooklyn-it, New York.

Autori i dyshuari u pa duke mërmëritur me vete para se të vendoste maskën e gazit. Më pas ai lëshoi ​​një bombol tymi të blerë në internet dhe hapi zjarr me pistoletë të kalibrit 380.

Lajmi është raportuar nga ABC News e cila citon zyrtarët amerikanë, shkruan Albanian Post.

Incidenti i përgjakshëm u regjistrua rreth orës 08:30 në Sunset Park.

Dhjetë persona u qëlluan dhe gjashtë pësuan lëndime të tjera, thanë zyrtarët. Pesë persona janë në gjendje kritike për jetën por të qëndrueshëm. Të lënduarit variojnë nga mosha 17 deri në 50 vjeç.

Policia e përshkroi të armatosurin, i cili është ende në arrati, si një “qitës aktiv”. Gjakderdhja në Brooklyn vjen mes një rritjeje të krimit në sistemin e tranzitit të qytetit të New York-ut.

Në fotot e publikuara në median sociale Twitter shfaqen dyshemetë e platformës së metrosë, të lyera me gjak dhe njerëz të plagosur.

Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Skuadra e bombave ndodhen në vendngjarje.

Një zëdhënës ka deklaruar se u gjetën pajisje të shumta të pashpërthyera.

Po punohet ende për kapjen e autorit, i cili mbante veshur një maskë kundërgazi dhe jelek portokalli. Autoritet kanë informuar se ai është larguar nga vendi i ngjarjes.

Nga ana tjetër Presidenti Joe Biden është informuar për të shtënat në metro dhe stafi i lartë i Shtëpisë së Bardhë është në kontakt me kryetarin e bashkisë së New York-ut Eric Adams dhe komisionerin e policisë Keechant Sewell për të ofruar çdo ndihmë sipas nevojës.

Policia e Shtetit të Massachusetts-it dhe Policia e Tranzitit të Washington DC thanë se po monitorojnë situatën edhe pse nuk raportohet për kërcënime të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore