Lajme

Automjeti i parë në botë me modalitet të dyfishtë


Është edhe autobus edhe tren. DMV-ja i ka të dyja opsionet.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se ai është automjeti i parë në botë me modalitet të dyfishtë, i cili është në gjendje të ecë ngjashëm si në rrugë dhe në hekurudhë.

Ndërkaq, debuti publik i automjetit pritet të mbahet në qytetin Kaiyo në prefekturën Tokushima të Japonisë.

Me pamjen e një minibusi, DMV-ja funksionon me goma normale makine në rrugë.

Mirëpo, kur kryen shkëmbimin, rrotat e çelikut zbresin nga pjesa e poshtme e automjetit në shina hekurudhore, duke e kthyer atë në mënyrë efektive në një vagon treni.

Rrotat e trenit heqin gomat e përparme nga binarët teksa rrotat e pasme qëndrojnë poshtë për të çuar DMV-në në hekurudhë.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, ka treguar se automjetet mund të ndihmojnë qytetet e vogla si Kaiyo me një popullsi të plakur dhe në tkurrje, ku kompanitë lokale të transportit luftojnë për të bërë një fitim.

“DMV-ja mund të arrijë te vendasit si autobus dhe t’i transportojë ata gjithashtu në hekurudhë”, ka thënë shefi Shigeki Miura.

Ai ka vijuar se “sidomos në zonat rurale me një popullsi në plakje, presim që të jetë një formë shumë e mirë e transportit publik”.

DMV-ja mund të transportojë deri në 21 pasagjerë.

Ajo mund të ecë me një shpejtësi prej 60 kilometrash në orë në shina hekurudhore dhe me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë në rrugët publike.

Automjetet e shumëngjyrshme do të kalojnë përgjatë një pjese të bregdetit të ishullit Shikoku në Japoninë jugore, duke lidhur disa qytete të vogla dhe duke u ofruar pasagjerëve pamje tërheqëse bregdetare.

Për Miura-n, projekti do të inkurajonte tifozët e hekurudhave nga e gjithë Japonia për ta vizituar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore