Sport

Australian Open ndalon flamujt e Rusisë dhe Bjellorusisë


Flamujt e Rusisë dhe Bjellorusisë janë ndaluar nga turneu i tenisit Australian Open pas një incidenti që ndodhi në ditën e parë të zhvillimit (aktualisht është dita e dytë).

Shikuesit fillimisht u lejuan të sillnin flamujt në Melbourne Park me kusht që të mos shkaktonin “përçarje”.

Por, organizatorët e ndryshuan këtë vendim këtë të martë, pasi tifozët shfaqën një flamur rus gjatë një ndeshjeje midis Kateryna Baindl të Ukrainës dhe tenistes ruse, Kamilla Rakhimova.

Vendimi do të hyjë në fuqi menjëherë dhe në ndeshjet e ardhshme nuk do të lejohet futja e këtyre flamujve në tribuna.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me tenistët dhe tifozët tanë për të siguruar ambientin më të mirë të mundshëm për të shijuar tenisin”, tha “Tennis Australia” në një deklaratë.

Tifozët ukrainas thonë se thirrën policinë dhe sigurinë në ndeshjen e raundit të parë të hënën, duke pretenduar se mbështetësit rusë po tallnin tenisten ukrainase, Baindl.

“Kjo është thellësisht e pasigurt, lufta po vazhdon”, tha një fans për gazetën lokale “The Age”.

“Është një fushë e vogël, djemtë ishin jashtëzakonisht afër lojtarëve, kështu që kishte një element të asaj që unë ndjeva se ishte frikësim”.

Por një nga rusët e përfshirë i tha “The Age” që grupi i tij thjesht kishte brohoritur për bashkëkombësen e tyre.

“Njerëzit mund ta shohin këtë si të neveritshme, por ne ishim thjesht duke bërë mbështetje. Nuk kishte asnjë tallje apo mosrespektim”, tha tifozi rus.

Ndërkaq, ambasadori i Ukrainës në Australi dhe Zelandën e Re i kishte bërë thirrje më herët “Tenis Australia”-s të merrte masa.

Kujtojmë që Atletët rusë dhe bjellorusë nuk kanë mundur të luajnë me flamujt e vendeve të tyre në disa sporte, përfshirë tenisin, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

Ndërsa lojtarët nga të dy vendet po konkurrojnë nën një flamur të bardhë neutral gjatë “Australian Open”, ata u nuk u lejuan fare të luanin në “Wimbledon” në verën e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore