Lajme

Australia miraton ligjin e ri, Facebook dhe Google duhet të paguajnë për lajmet


Australia miratoi ligjin që do të detyrojë kompanitë teknologjike të paguajnë botuesit e lajmeve, për të marrë përmbajtjet e tyre dhe për t`i publikuar më pas në internet. Aprovimi i ligjit mund të shtyjë shtetet e tjera të ndërmarrin veprime të ngjashme.

Kodi i ri, i cili u miratua më 25 shkurt, i mundëson botuesve të lajmeve apo kompanive mediatike që të shpërblehen për përmbajtjen që gjenerojnë.

Ky ligj i ri, i paprecedent shkaktoi mjaft debate gjatë muajve të fundit. Facebook dhe Google kundërshtuan versionin fillestar të draftit. Projektligji fillestar i lejonte mediave të negocionin në mënyrë individuale ose kolektive me këto media sociale. Drafti parashikonte t`i lejonte të hynin në një arbitrazh të parevokueshëm nëse nuk do të arrihej një marrëveshje midis palëve.

Pas rishikimeve Facebook tha se marrëveshja do t`i lejonte të “mbështeste botuesit që do të zgjidhnin”. Më pas u zbulua një marrëveshje me kompaninë mediatike Seven West Media. Po ashtu Facebook-u kishte në plan të firmoste marrëveshje me disa botues të tjerë lajmesh.

Gjatë ditëve të fundit, Google ka nënshkruar disa partneritete me disa nga organizatat më të mëdha të mediave në Australi.

Prej disa vitesh, Facebook dhe Google kanë qenë në diskutime me botuesit e lajmeve për mënyrën se si këta botues do të zgjedhin të shpërndajnë përmbajtjen e tyre. Ndërkohë që kompanitë mediatike pretendonin se gjigandët teknologjikë do të duhej t`i paguanin për privilegjin e shpërndarjes së lajmeve.

Sipas autoriteteve australiane, projektligji synon “rregullimin e tregut” të mediave sociale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore