Lajme

Australia goditet nga një tërmet i pazakontë


Pamje nga pas tërmetit në Australi

Një tërmet – tërësisht i pazakontë për Australinë – ka goditur gjithë zonën juglindore, me epiqendër rrethinat e qyetetit të Melbourne-it.

Me një magnitudë 5.8 i shkallës Rihter, tërmeti raportohet të ketë shkaktuar dëme të konsiderueshme por ende nuk është raportuar asnjë viktimë.

Australia gjendet larg rripit sizmik të zonës së Paqësorit, ndaj edhe tërmetet aty nuk janë një fenomen shumë i hasur.

Gjithsesi, në orën 21:15 me atë australiane, ndërtesat në Melbourne u shkundën duke sjellë panik tek qytetarët.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Scott Morrison, i cili siguroi qytetarët se nuk kishte dëme madhore. Të njëjtën gjë e raportuan edhe autoritetet përkatëse më pas.

Pamje nga pas tërmetit në Australi

Lëkundje u ndjenë edhe në zona të tjera të Australisë jugore apo në zonën e New South Wales-it.

Dy goditje të tjera, njëra e shkallës 4.0 dhe tjetra 3.1 Rihter, ishin pasefekti i tërmetit të parë.

Ky është edhe aktiviteti sizmik më i lartë i viteve të fundit në Australi.

Për shkak të të qenit një fenomen natyror kaq margjinal, goditje të tilla mund të rezultojnë edhe fatale për shtete si Australia. Pavarësisht faktit se ndërtesat atje janë cilësore dhe kryesisht të reja, ato nuk janë të përshtatura për të përballuar goditje të forta sizmike.

Për këtë fakt dhe për shkak të frikës nga luhatje të tjera, autoritetet në Victoria u kanë kërkuar qytetarëve të qëndrojnë jashtë godinave. Kjo, deri në një verfikim të gjendjes së tyre.

Thirrje është bërë edhe për të mos ngarë makinat përveç rasteve të urgjencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore