Lajme

Australi/Rudd: Kodi i ri mediatik do të rrisë dominimin e Murdoch


Ish-kryeministri i Australisë, Kevin Rudd, ka argumentuar se ligji australian që detyron platformën e Google-it dhe Facebook-ut të paguajë kompanitë mediatike për përmbajtjen e tyre të lajmeve do të rrisë ndikimin e perandorisë mediatike, News Corp, të Rupert Murdoch në Australi.

Rudd, i cili ka qenë një kritik i ashpër i News Corp-it që kur u largua nga politika, gjatë hetimit të çështjes në Senat, paraqiti dhe reagimin e medias sociale Facebook. Kompania Facebook i ndaloi postimet e lajmeve nga Australia, ditën e enjte, më 18 shkurt.

“Facebook na dha një shembull se çfarë mund të bëjë një monopol i ri shumë i madh i medias kur abuzon me fuqinë e tij”.

Sipas Rudd-it, kodi i ri për mediat i propozuar nga Qeveria Australiane, duhet të rishikohet pasi është duke rritur fuqinë e monopolit ekzistues mediatik të Murdoch.

News Corp dhe Nine Entertainment Co, pronari i tyre, i cili është koka kryesore në politikën australiane, kanë drejtuar fushatën e industrisë mediatike për kodin.

Botuesit më të vegjël, përfshirë Eric Beecher, kryetari i Medias Private (Private Media), kanë ngritur shqetësime se kodi do të çojë më tej dominimin e News Corp dhe Nine.

Shefi ekzekutiv në largim i Hugh Marks, gjatë procesit të hetimit tha se bashkimi i Nine me Fairfax Media në vitin 2018 kishte krijuar kompaninë më të madhe të medias në pronësi lokale të Australisë.

Por ai argumentoi që pronësia e medias nuk ishte përcaktuese e larmisë së medias.

“Ajo që përcakton larminë e mediave është pavarësia e gazetarëve dhe aftësia që gazetarët të bëjnë punën e tyre”.

Në provat e tij që prezantoi Rudd, pretendoi se News Corp kultivoi një lloj kulture ‘frike’ tek politikanët vendas.

Rudd deklaroi se politikanët australianë janë të frikësuar nga Rupert Murdoch.

Rudd tha se “turma e Murdoch” po kërkonte “politikanë të bindur”. Ai i tha hetimit mbi diversitetin e medias se politikanët kishin frikë të përballeshin me një “fushatë sistematike”.

“Të gjithë janë të frikësuar nga Murdoch. Ata vërtet janë. Ka një kulturë frike në të gjithë vendin”.

Rudd është një kritik i hapur i rolit dominues të mediave Murdoch në mediat e shkruara Australiane.

Rudd tha se kjo kulturë e frikës për monopolin e mediave Murdoch ishte “thjesht e gabuar për çdo demokraci”.

“E vërteta është si kryeministër kisha frikë nga roli i mediave Murdoch. Kur ndalova të kem frikë? Ndoshta kur dola nga politika në 2013 ”.

Rudd tha se ai kishte pasur shumë diskutime me ish-kryeministrin e koalicionit, Malcolm Turnbull, mbi këtë kulturë frike në kohët e fundit.

“Askush nuk duhet të frikësohet nga Murdoch, por a mund t’ju them se ai e përdor këtë kulturë frike, për shkak të fuqisë që ai zotëron”.

Kryetari ekzekutiv i News Corp Australia, Michael Miller, e akuzoi Rudd për mashtrim të hetimit.

”Është fakt që tani po jetojmë në një treg të ndryshëm të mediave të lajmeve në historinë australiane dhe ne nuk do t’i mbyllim sytë ndaj botës moderne”.

“Komentet e bëra nga ish-kryeministrat Rudd dhe Turnbull, ku ata vendosin të fajësojnë News Corp dhe Rupert Murdoch, lidhet me dështimin e tyre në jetën politike. News Corp nuk është fajtore për dështimet e tyre”.

Hetimi në Senat për kodin e ri të medias, erdhi pasi më shumë se 500 mijë njerëz nënshkruan një peticion nga Rudd. Peticioni u ngrit pas shqetësimeve në lidhje me ndikimin e perandorisë mediatike Murdoch.

News Corp është pronari më i madh i gazetave të vendit, duke përfshirë The Australian dhe Sydney, The Daily Telegraph, Melbourne’s Herald Sun, Brisbane’s Courier Mail dhe Adelaide’s The Advertiser.

News Corp gjithashtu zotëron web-faqen e dytë digjitale më të madhe Australiane (news.com.au) dhe kanalin 24-orësh Sky News Australia.

Nine, The Sydney, Morning Herald, The Age, The Australian Financial Review dhe një varg kanalesh radio-je dhe asetesh televizive, gjithashtu luajnë një rol dominues në mediat Australiane.

ABC-ja është një ndër mediat që zë vendin e tretë në konkurrencën e televizionit, radio-s dhe faqes së internetit.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore