Lajme

Australi/ Kompania e kriptove paditet për mashtrim


Një kompani Australiane e kriptomonedhave po paditet në gjykatën federale për mashtrim në atë që besohet të jetë çështja e parë e këtij lloji në vend.

Sipas një raporti nga agjencia mediatike, ABC News, shtetasi francez, 28-vjeçari Alexandre Raffin, ka ngritur një padi për dëmshpërblim kundër kompanisë së kriptovalutave, Modern Assets Australia, për shkelje të rregullave të kujdesit për klientin.

Raffin pretendon se drejtorët e kompanisë, Jonathan Allison dhe Carlo Sciubba, dështuan në detyrimin e tyre si ndërmjetës, në lehtësimin e konvertimit nga para cash në një kriptovalutë të Koresë së Jugut të quajtur Klaytn.

Bëhet me dije se Modern Assets kishte për qëllim t’i siguronte Raffin kriptomonedhat, por kur marrëveshja po bëhej, kompania e kishte lënë Raffin të kontaktojë direkt me shitësin.

Më vonë, shitësi u tërhoq me paratë e Raffin dhe u zhduk.

Sipas kushteve të marrëveshjes, shitësi duhej të siguronte 937 mijë e 500 njësi të kriptovalutës për rreth 71 mijë dollarë, e cila në vlerësimin e sotëm kap vlerat e afërsisht 2.8 milionë dollarë.

Shtetasi francez po akuzon Modern Assets se nuk kanë bërë kërkimet e nevojshme para se ta lidhnin atë me shitësin misterioz.

Ndërkaq, Raffin po kërkon kompensim për humbjen e fondeve plus 800 mijë dollarë të tjera – vlera që kriptovaluta do të kishte vitin e kaluar.

Kompania Modern Assets që atëherë e ka rimbursuar për tarifat e komisionit. ndërsa çështja për paratë e humbura pret zgjidhjen përfundimtare në Gjykatën Federale Australiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore