Shqipëria

Australi: Drejtësia e 4 marsit, protestuesit marshojnë kundër sulmit seksual


Mijëra njerëz kanë marshuar në rrugët e Australisë, të hënën e 15 marsit, duke protestuar kundër abuzimit seksual dhe ngacmimit të grave në vend.

Ata morën shkas pas akuzave për sulm seksual në Parlamentin e Australisë, duke iu drejtuar qeverisë konservatore në vend.

Kujtojmë se protesta u organizuan dhe një javë më parë, pasi u zbulua se Prokurori i Përgjithshëm, Christian Porter, akuzohej për përdhunim në vitin 1988, gjë që e ka mohuar.

Një rast i veçantë ka nxitur gjithashtu zemërimin e publikut. Ai i ish-këshilltares politike, Brittany Higgins, e cila tha në shkurt se e kishin përdhunuar në zyrën e një ministri në 2019-n.

Protestuesit mendojnë se reagimi i qeverisë ndaj akuzave për sulme seksuale nuk ka qenë i duhuri.

Të hënën, para mijëra protestuesve jashtë Shtëpisë së Parlamentit, Higgins tha se ekziston një pranim nga shoqëria për dhunën seksuale që përjetojnë gratë në Australi.

“Historia ime në faqen e parë të mediave ishte për të vetmen arsye: për t’u kujtuar grave se, nëse mund të ndodhë në Shtëpinë e Parlamentit, mund të ndodhë vërtet kudo”.

Çfarë ndodhi në protesta?

Protestat e njohura si Drejtësia e 4 marsit pati në 40 qytete në Australi. Aty u përfshinë kryeqytetet kryesore të Canberra-s, Sidney-t dhe Melbourne-s, si dhe qytete më të vogla të vendit.

Organizatorët sugjeruan se mund të ishte “kryengritja më e madhe e grave që ka parë ndonjëherë Australia”.

Të pranishmit mbanin pankarta, ndërsa ishin të veshur të gjithë me të zeza.

Në Melbourne, protestuesit mbanin një banderolë të gjatë, ku renditeshin emrat e grave të vrara gjatë akteve të dhunës gjinore, gjatë dekadës së kaluar.

Në tubimin e Canberra-s, organizatorët gjithashtu paraqitën një peticion për ligjbërësit, me mbi 90 mijë nënshkrime, duke kërkuar përgjegjësi më të madhe të sjelljeve seksiste në parlament.

Ata gjithashtu kanë bërë thirrje që Porter-i të qëndronte mënjanë. Policia ka mbyllur çështjen e tyre kundër Prokurorit të Përgjithshëm, por të tjerët kanë argumentuar për një hetim të veçantë në pretendimet kundër tij.

Si ka reaguar qeveria?

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, nuk pranoi të përballej me protestuesit, pavarësisht nxitjes së tyre. Ai u detyrua të mbronte vendimin e tij në parlament.

Të dielën, Morrison kishte ftuar një delegacion për t’u takuar në Shtëpinë e Parlamentit. Por organizatorët e protestës nuk pranuan, duke argumentuar se ai dhe ministri i qeverisë për gratë duhet të takoheshin me ta në tubim.

Shumica e ligjvënësve të qeverisë nuk pranuan të bashkoheshin në tubime. Sidoqoftë, opozita Laburiste dhe disa ligjvënës të tjerë të shquar iu bashkuan turmës së Canberra-s.

“Gratë e të gjitha moshave janë këtu, jashtë selisë së pushtetit të qeverisë”, tha Jade Catton, nënë e katër fëmijëve.

“Nuk është e lehtë t’i sjellësh këtu. Por unë dua që ata të dinë se kjo është e rëndësishme. Unë i mësoj fëmijët e mi që ne i trajtojmë të tjerët me mirësi dhe respekt, pavarësisht se kush janë e çfarë gjinie kanë”, theksoi ajo.

Gjithashtu, Catton tha se “këto gjëra themelore duket se janë pa vlerë për qeverinë. Duket që për këtë të fundit, zërat e grave nuk kanë rëndësi, kështu që i solla fëmijët këtu për t’u treguar atyre se kjo nuk është në rregull”.

Çfarë çoi në protestat kombëtare?

Rastet në parlament kanë paraqitur një kulturë seksiste dhe mënyrën se si trajtohen sulmet seksuale dhe ngacmimet më gjerë në të gjitha fushat e shoqërisë australiane.

Ish-këshilltarja për herë të parë do të fliste më 15 shkurt, në lidhje me përdhunimin e saj nga një koleg.

Mjaftoi kjo dhe shumë gra të tjera, të cilat kishin përjetuar një histori përdhunimi, u bashkuan në protestë. Ato u shprehën se kjo kishte ndodhur edhe në sistemin shkollor të Australisë, vende dhe zona të tjera pune.

Protestuesit kërkojnë një hetim të pavarur për çështjen “Porter”, si dhe sulme të tjera të pretenduara seksuale në politikën australiane.

Nga ana tjetër, Porter ka deklaruar se ai do të padisë “Australian Broadcasting Corporation” për shpifje.

Sidoqoftë, Morrison u ka rezistuar thirrjeve të tilla, duke argumentuar se me çështjen duhet të merret vetëm policia. Por kjo e fundit e mbylli hetimin, duke u bazuar në mungesën e provave të mjaftueshme. Ndërkohë, viktima e pretenduar vdiq vitin e kaluar.

Opozita Laburiste ka thënë se, pas dhjetëra akuzave anonime të ngacmimit seksual dhe seksizmit kundër figurave meshkuj brenda partisë së saj, do të rishikojë pozicionin e saj.

Mijëra gra vazhdojnë marshimin në rrugët e Australisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore