Teknologji

Audeo, imitim i tingujve të pianos


Një ekip nga Universiteti i Washington-it ka përdorur inteligjencën artificiale për të parë nëse një sistem vizioni kompjuterik mund të mësonte se si të tregonte se çfarë luhet në një piano vetëm nga një pamje e sipërme e tasteve dhe duarve të lojtarit.

Tech Crunch, faqe kushtuar të rejave teknologjike, tregon se sistemi i quajtur Audeo, i trajtuar nga Eli Shlizerman, Kun Su dhe Xiulong Liu, mund të shohë video të luajtjes në piano.

Fillimisht, Audeo nxjerr sekuenca të thjeshta të shtypjes së tasteve të pianos dhe më pas shton shprehje në formën e gjatësisë dhe forcës së tyre dhe në fund, i lustron ato për të hyrë në një sintetizues.

“Të krijosh muzikë që tingëllon sikur mund të luhej në një shfaqje muzikore, më parë besohej se ishte e pamundur”, ka thënë Shilzerman.

Audeo përdor një seri hapash për të deshifruar atë që ndodh në video dhe më pas e përkthen në muzikë.

Fillimisht, sistemi zbulon se cilat taste shtypen në secilën kornizë të videos që e ndihmon algoritmin të ndërtojë një diagram me kalimin e kohës. Më pas, sistemi e përkthen diagramën në një sintetizues të muzikës, i cili njeh tingullin që luhet në piano. Ky hap i dytë vazhdon me shtimin e të dhënave si fortësia e shtypjes së tasteve dhe kohëzgjatja.

“Fakti që arritëm që muzika e prodhuar të tingëllonte mjaft mirë, ishte një befasi”, është shprehur Shilzerman.

Studjuesit e testuan sistemin duke përdorur video nga platforma YouTube, të cilat ishin të pianistit Paul Barton. Testimi përbëhej nga 172 mijë korniza videosh të Barton-it duke luajtur muzikë klasike të kompozitorëve të mëdhenj si Bach dhe Mozart.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore