Sport

Atletico Madrid-i buzëqesh në fund dhe afrohet me kreun


Atletico Madrid-i e drejtuar nga Diego Simeone ka arritur të marrë fitore në javën e 13 në La Liga-n spanjolle.

Djemtë e Simeone-s mundën me rezultatin minimal 1-0 Osasuna-n në “Wanda Metropolitano”. Fitorja u siguroi tre pikë shumë të vlefshme në garën për titullin kampion.

Atletico qarkulloi topin në pjesën më të madhe të takimit dhe tentoi 15 herë portën kundërshtare. Vetëm dy nga 15 gjuajtjet ishin në kuadrat dhe një përfundoi në rrjet.

Pjesa e parë e takimit përfundoi me rrjeta të paprekura edhe pse të dy skuadrat ishin në kërkim të golit.

Në pjesën e dytë, kur gjithçka po shkonte drejt fundit, tre minuta nga përfundimi i kohës së rregullt, qendërmbrojtësi Felipe e dërgoi topin në rrjetë. Minutat e mbetura, nuk prodhuan ndryshim të rezultatit.

“Los Colchoneros” shkojnë në kuotën e 26 pikëve, pas 13 javëve të luajtura dhe renditen në vendin e katërt. Sevilla dhe Real Sociedad-i mbajnë vendin e parë me nga 28 pikë. Real Madrid-i me një ndeshje më pak, renditet në vendin e tretë me 27 pikë. Osasuna renditet e teta me 19 pikë.

Më herët në La Liga u luajtën dy sfida. Sevilla barazoi në shifrat 2-2 me Alaves-in dhe Celta Vigo barazoi në shifrat 1-1 me Villarreal-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore