Lajme

ATK në Kosovë tejkalon planin e hyrjeve me 23 milionë euro


Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) deklaron se ka tejkaluar planin e hyrjeve për muajt janar-maj, me 23 milionë euro.

Përmes një njoftimi për media, ATK ka bërë të ditur se trendi i rritjes të hyrjeve nga Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar ngritje, ku nga muaji janar deri në maj 2021 është arritur që të inkasohen 23.9 milionë euro me shumë se plani i paraparë, ndërsa krahasuar me parametrat e njëjtë të vitit paraprak është arritur performancë tejet premtuese, duke rritur inkasimin për 56.8 milionë euro.

“Institucioni ndër më të rëndësishmit në mbushjen e buxhetit të shtetit deri më tani (janar-maj 2021) ka mbledhur tatime në total 242.9 milionë euro”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

ATK synon që në pjesën e dytë të këtij viti të vazhdojë me reforma në procese si atë të hartimit dhe zbatimit të planit për përmirësimin e regjistrit të tatimpaguesve,  deklaratave tatimore, implementimin e Strategjisë së Kontrollit 2020-2022, si dhe modernizimin e DTM-së.

Vitin e kaluar për shkak të mbylljes së bizneseve nga pandemia, ATK ka pasur rënie të hyrjeve.

Republika e Kosovës është vend që hyrjet kryesore të buxhetit të shtetit i ka nga Administrata Tatimore dhe Doganat, ku kryesisht tatohen produktet e importit, ndërsa eksporti është në nivele ende të vogla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore