Shije

Atje ku mishi është i ndaluar të shërbehet


Varanasi, i banuar prej vitit 1800 para Krishtit, është i njohur si një ndër qytetet më të vjetër dhe si një nga më të shenjtët për 1.2 miliardë hindu në botë.

Por nuk është kjo arsyeja pse e përditshmja BBC ka shkuar deri atje.

Vendi ka edhe një tjetër të veçantë, ushqimin unik vegjetarian.

Gjatë vozitjes nëpër rrugët e ngarkuara të qytetit, shoferi Rakesh Giri, ka treguar se si Shiva kishte themeluar Varanasin në ditët e dikurshme, në bazë të besimit hindu.

Ngjashëm si shumica e banorëve vendas edhe Giri është një adhurues i Shivës. Dhe meqenëse ndjekësit e tij besojnë se ai është Zot vegjetarian, ai dhe shumica e banorëve të tjerë të Varanasit ndjekin një dietë të rreptë vegjetariane.

“Familja ime dhe unë kemi qenë vegjetarianë të pastër për breza. Ne refuzojmë të pimë edhe ujë në një shtëpi ku konsumohen vezë”, ka treguar Giri.

Mirëpo, shumë udhëtarë e njohin Varanasin si kryeqytetin shpirtëror të Indisë dhe jo për joshjen e kuzhinës vendase.

Kjo nuk i ka ndalur kuzhinierët nga e gjithë bota që të frymëzohen nga trashëgimia e kuzhinës, duke rikrijuar shijet e saj në restorantet e tyre.

Kuzhinieri me dy yje Michelin, Atul Kochhar, e ka quajtur restorantin e tij modern indian në Londër Benares, ndryshe emri i Varanasit gjatë sundimit britanik.

Në librin e tij të gatimit me të njëjtin emër, kuzhinieri shfaq recetat vegjetariane, të tilla si petullat e qiqrave, që nxjerrin në pah kombinimet e shijes së ëmbël që gjenden në qytet.

Në një vend që është 80 për qind hindu dhe 20 për qind vegjetarian, opsionet pa mish janë të kudogjendura në Indi.

Por çka e bën kuzhinën vegjetariane të Varanasit interesante është se si specialitetet e saj ndikohen drejtpërdrejt nga ndjenja e fortë e spiritualitetit.

Një menu sattvic bazohet në parimet Ayurvedike dhe i përmbahet standardeve më të rrepta të vegjetarianizmit të përshkruara nga Dharma Sanatana, një formë absolute e hinduizmit.

Si e tillë, ndalon përdorimin e qepës dhe hudhrës në gatim, të cilat besohet se rrisin zemërimin, agresionin dhe ankthin.

“Thuajse çdo familje hindu në Varanasi ka një altar kushtuar Shivait në shtëpi. Të hash mish në shtëpi është e paimagjinueshme”, ka shpjeguar Abhishek Shukla, nga tempulli i famshëm Kashi Vishwanath.

“Mishi, qepa dhe hudhra përkeqësojnë tendencat e kundërta, duke e bërë të vështirë për njerëzit që të përqendrohen dhe të ushtrojnë gjykim të mirë”, ka shtuar ai.

Tradicionalisht, shumë restorante Varanasi kanë shërbyer mish për t’u kujdesur për turistët perëndimorë dhe pelegrinët hindu jo-vegjetarianë, dhe kuzhina lokale kryesisht hahej në shtëpi.

Por në vitin 2019, qeveria ndaloi shitjen dhe konsumimin e mishit brenda një rrezeje prej 250 metrash të të gjithë tempujve dhe vendeve të trashëgimisë.

Ndalimi inkurajoi restorantet që të fillonin të shfaqnin receta lokale vegjetariane që janë përcjellë për breza në shtëpitë e tyre, por që më parë nuk ishin të disponueshme për vizitorët.

Te hoteli luksoz, BrijRama Palace, kuzhinieri ekzekutiv Manoj Verma zbaton njohuritë e tij enciklopedike për gatimin tradicional vegjetarian.

“Kur mora për herë të parë kuzhinën, futa menjëherë pjata si khatta meetha kaddu dhe nimona në menunë tonë. Këto janë pjata modeste që të ftuarit tanë nuk do të kishin pasur kurrë mundësi t’i shijonin”, ka treguar ai.

Verma ka rrëfyer për BBC se ndalimi i mishit i vitit 2019 ka nxitur kreativitetin midis një gjenerate të re kuzhinierësh në Varanasi.

Edhe pse ai kishte gatuar për të famshmit indianë dhe ndërkombëtarë, nderi i tij më i madh ishte kur kuzhinieri Khanna shkoi për të shijuar ushqimin e tij.

Në atë që konsiderohet të jetë shenja e fundit e respektit në kulturën indiane, kuzhinieri me yll Michelin u përkul dhe preku këmbët e Verma-s. “Nuk do ta harroj kurrë”, ka thënë ai për këtë gjest.

Aktualisht, vendasit vlerësojnë se janë diku te 40 nga 200 restorante sattvic në Varanasi, një rritje e madhe që nga ndalimi i mishit në vitin 2019.

Shree Shivay është një nga këto restorante.

Menuja e tij, e cila ndryshon dy herë në ditë, bazuar në atë që disponohet në tregun lokal në mëngjes, përmban oferta me të paktën 12 pjata të ndryshme.

Pas muajsh eksperimentesh të kujdesshme, tre kuzhinierët e restorantit dolën me një formulë ku mund të imitonin shijen e çdo salce apo lëng mishi duke përdorur pesë përbërës kyç: shqeme, farat e lulëkuqes, farat e pjeprit, domate dhe fara chironji.

Përtej restoranteve, skena e ushqimit në rrugë të Varanasit është po aq e gjallë dhe elektrike sa ajo e Stambollit, por nuk e gëzon atë zhurmë mediatike.

Edhe pse shumë nga ushqimet sattvic të shitura janë variacione unike ose rikrijime të gatimeve të gjetura diku tjetër në Indi, ato nuk kanë njohje të gjerë.

Një nga specialitetet është edhe çaji me qumësht të ëmbëlsuar me shkumë që shërbehet në Lakshmi Chai Wale në gota terrakote me një pjesë të bukës së thekur malai.

Ky shoqërues i këndshëm përbëhet nga dy feta bukë të pjekura në skarë mbi qymyr të nxehtë, më pas të lyera me krem ​​të freskët dhe të spërkatura me sheqer të grimcuar.

Nga ana tjetër, shumica e indianëve e dinë se Varanasi është kryeqyteti i paan-it dhe nuk mund të largohesh nga aty pa e provuar një të tillë.

Zakonisht, paan shijohet në fund të vaktit pasi ndihmon në tretje dhe funksionon si freskues i frymëmarrjes.

Në Netaji Paan Bhandar, pronari Pavan Chaurasiya i shton paan-it reçel me petal trëndafili, arra areca dhe gëlqere përpara se ta palosë atë me saktësi dhe ta shërbejë në një tabaka të argjendtë.

E teksa mijëra vizitorë do të vijojnë të shkojnë në Varanasi në kërkim të shpëtimit shpirtëror, ata nuk duhet të largohen prej andej pa u bërë pjesë e parajsës vegjetariane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore