Lajme

Atiq nis procedurat për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës


Erden Atiq

Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, përmes një kërkese zyrtare, ka kërkuar që komuna që ai udhëheq të anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës – organizatë joprofitabile, që i përfaqëson interesat e përgjithshme të autoriteteve lokale.

“Ju njoftoj se me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të interesave të përbashkëta komunale, bazuar në nenin 31 dhe 32 të Ligjit për qeverisjen lokale, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kemi filluar procedurat për anëtarësim të komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës”.

Asociacioni i Komunave të Kosovës është formuar në vitin 2001 pas zgjedhjeve të para demokratike komunale. Themelimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës është mbështetur në nenin 10 të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale në kuadër të Këshillit të Evropës.

Ndryshe, tensionet janë kthyer në pjesën veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale për katër kryetarët e komunave – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njëherit e përkrahur dhe dirigjuar nga Qeveria e Serbisë, e cila që qeverisi në katër komunat veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – prej vitit 2013, nuk mori pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore