Shqipëria

Atentati ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj, GJKKO shtyn seancën për Rrajën dhe Halilajn


Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të enjten e 2 dhjetorit ka shtyrë seancën për Redjan Rrajën dhe Ariol Halilajn, të cilët akuzohen për atentatin, ku mbeti i vrarë Andi Maloku, të plagosur Aleksandër Laho dhe prokurori i Durrësit, Arjan Ndoji.

Shkak u bë mungesa e avokatit të Rrajës. Ky i fundit vuan dënimin në regjimin 41 biss dhe gjendja e tij jo e mirë shëndetësore solli mosprezencën në sallën e gjykimit.

Në sallën e gjyqit është bërë me dije se janë paraqitur dy të mitur për të dëshmuar në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Ndoji.

Dyshohet se të miturit kanë parë Redjan Rrajën bashkë me persona të tjerë duke braktisur makinën pas atentatit.

Mbi Rrajën dhe Halilajn rëndojnë disa akuza të tjera, si armëmbajtje pa leje, vjedhje dhe pjesëmarrje në grupe kriminale.

Në Gjykatë më herët ka dëshmuar edhe Prokurori, i cili ka thënë se ai ka qenë shënjestra e atentatit.

Ngjarja ndodhi në vitin 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit.

Drejt makinës së prokurorit u qëllua me breshëri automatiku.

Pas kësaj makina doli nga rruga, dhe humbi jetën shoferi i prokurorit, 30-vjeçari Maloku, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.

Ndërsa familja e Malokut ka kërkuar dëmshpërblim për humbjen e jetës së djalit.

Më 5 nëntor Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sekuestroi pasuritë e Rrajës dhe familjarëve të tij.

Pasuritë e sekuestruar ishin:  apartament, (Njësi Tregtare) me sip. 76 m2, e ndodhur në Tiranë, tre njësi tregtare në Tiranë, dy garazhe, dy automjete të tipit “Audi – A8”,  automjet i markës “Bentley” tipi Continental, një orë dore tip “Roleks” dhe shuma prej 2 mijë e 750 Euro.

Hetimet vazhdojnë me qëllim evidentimin e pasurive të tjera që shtetasi Rraja dhe persona të tjerë të lidhur mund të kenë në zotërim apo në pronësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore