Lajme

Bashkëshortja e ambasadorit italian në Kongo: OKB-ja i kishte konfirmuar siguri


Ambasadori italian në Kongo, Luca Attanasio, karabinieri Vittorio Iacovacci dhe shoferi Mustapha Milambo ndërruan jetë pas brutalitetit të milicëve që u përpoqën t’i rrëmbenin.

Zona, drejt së cilës po udhëtonte ambasadori, është një nga më të rrezikshmet në Afrikën Qendrore. Njoftohet se autokolona, me të cilin udhëtonte ambasadori, nuk shoqërohej nga forca sigurie. Ndërkohë që autoritetet kongoleze pretendojnë se ambasadori ishte nisur pa i informuar.

Mediat italiane bëjnë të ditur se sekretarja e ambasadorit i kishte dërguar një letër Ministrisë së Jashtme të Kongos një javë para sulmit, në të cilën u kërkonte autoriteteve të merrnin masa për udhëtimin e ambasadorit italian. Edhe pse nuk kishte asnjë arsye që ambasadori italian të anulonte një mision të planifikuar që në vitin 2020. Qëllimi i udhëtimit ishte tërësisht humanitar.

Zakia Seddiki, bashkëshortja e ambasadorit italian, të vrarë në Republikën Demokratike të Kongos, më 22 shkurt, u shfaq në një intervistë për të përditshmen italiane, Corriere della Sera.

Bashkëshortja e Attanasio-s pretendon se bashkëshorti i saj u vra, pasi i besoi OKB-së në çështjen e sigurisë në organizimin e udhëtimit. Prokuroria italiane i ka kërkuar OKB-së dhe qeverisë së Kongos dhe ambasadës italiane të gjithë dokumentet që dëshmojnë protokollet e sigurisë që janë miratuar për udhëtimin e ambasadorit dhe karabinierit që e shoqëronte.

Bashkëshortja e ambasadorit tha se ai u ftua nga Programi Botëror i Ushqimit për të vizituar një projekt të Programit Botëror të Ushqimit (WFP) për shkollat. Seddiki tha se OKB-ja i konfirmoi se do të kujdesej për sigurinë.

Ajo shtoi se Luca nuk kishte udhëtuar kurrë pa menduar për sigurinë.

“Edhe eskortat e sigurisë që e shoqëronin, bënin punën e tyre, kontaktonin vendin, kërkonin informacionet. Ata ishin gjithmonë të vëmendshëm. Ftesat e tjera u refuzuan, sepse, në përgjigje të kërkesës, nuk kishte mjete sigurie”.

Seddiki nënvizoi se i besuan një institucioni si Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“WFP-ja nuk e organizoi si duhet mbrojtjen. Nuk bënë atë që duhet të bënin, duke marrë parasysh se ishte me rrezik. Me siguri, dikush brenda WFP-së e dinte që eskorta nuk ishte efektive”, shton ajo.

Seddik-i kujton se orari i fluturimit i Kombeve të Bashkuara, Kinshasa-Goma, u ndryshua tri herë.

“Ai ka kryer misione të ndryshme jashtë. Konsullore, humanitare, për projekte, për të vizituar italianët. Bashkë kemi kryer disa udhëtime së bashku, por nuk kanë ndodhur kurrë probleme të tilla”, saktëson bashkëshortja e ambasadorit të vrarë në Kongo.

Ende nuk bëhet e ditur cila mund të jetë arsyeja e atentatit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore