Kosova

Asociacioni i Komunave për zhvendosjen e “Sunny Hill”: MAPL-ja ka ndërhyrë në kompetencat e Komunës


Sunny Hill Festival.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka fajësuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë.

Ky asociacion konsideron se MAPL-ja ka ndërhyrë në kompetencat dhe autonominë lokal të komunave të cilat janë të përcaktuara me ligjet në fuqi.

“Me këtë shihet dhe vërtetohet qartë ndërhyrja e MAPL në kompetencë të komunës e që këto ndërhyrje janë pengesë serioze në mundësinë e zhvillimit ekonomik lokal por edhe pengesë në zhvillimin e demokracisë lokale në Republikën e Kosovës Shpresojmë që kjo të jetë hera e fundit që niveli qendror me dashje ndërhyn në kompetencat e komunave”.

Nga AAK, është theksuar edhe neni i cili jep në shfrytëzim pronën.

“Neni 6 i Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës thotë se Afati i dhënies në shfrytëzim i pronës së paluajtshme të komunës vendoset nga KOMUNA, e jo nga niveli qendror, ku komunat kanë të drejtë ta japin pronën e vet komunale në shfrytëzim nga 1-15 vite, më shumë se 15 vite, pra deri në 99 vite dhe se komunat mund të japin në shfrytëzim pronën e paluajtshme për me pak se një (1) vit”.

“Kurse në shkresën e MAPL-së, e nënshkruar nga ministri Elbert Krasniqi, drejtuar kryetarit të komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kërkohet në mënyrë arbitrare që komuna ta adresojë kërkesën për ndryshimin e afatit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për festivalin “Sunny Hill”, thuhet në reagimin e AKK-së në Facebook.

Nga MAPL, është thënë se kërkesë nga ta ka qenë sqarimi i dokumenteve shtesë.

“Lidhur me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim sqarojmë se, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nga momenti i parë ka trajtuar me kujdes maksimal Vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim. Po ashtu njoftojmë opinionin publik se MAPL nuk e ka anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë”.

Themeluesi i Sunny Hill Festival në Prishtinë, Dukagjin Lipa dhe Dua Lipa.

Nga ky dikaster është shtuar se vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për këtë festival ishte paraqitur me vonesë nga komuna e Prishtinës.

“Nisur nga fakti se institucionet lokale janë konstituuar me vonesë për shkak të procesit zgjedhor, MAPL në fillim të këtij viti ju ka mundësuar të gjitha komunave, përfshirë këtu edhe Prishtinën, shpalljen e listës së pronave që do të jepnin në shfrytëzim deri me 31 mars 2022”.

“Në anën tjetër, vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për “The Sunny Hill”, me procedurat e negocimit të Kryetarit të Komunës, është aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës me 10.05.2022, ndërsa për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministri është pranuar me datë 16.05.2022”.

MAPL, vazhdon duke bërë të ditur se ankesa kanë pranuar edhe nga shoqëria civile për dhënien e tokës për 99 vite.

“Duam po ashtu të theksojmë se për këtë akt dhe mënyrën e dhënies së pronës në shfrytëzim për 99 vite ne kemi pranuar reagime edhe nga organizata të shoqërisë civile të cilat kanë tërhequr vërejtjen pikërisht për mënyrën se si ishte proceduar me këtë proces” .

“Megjithatë ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar të trajtojmë me interes dhe seriozitet aktin në fjalë. Aktualisht Ministria jonë është në pritje të përgjigjes në pyetjet që i kemi dërguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama”.

Sunny Hill Festival, këtë vit do të organizohet në Tiranë.

Kështu ka konfirmuar për Albanian Post, Visar Breznica, njëri nga organizatoret e këtij festivali.

“Po, do të zhvendoset në Tiranë data e njëjtë vetëm loakcioni ndërrohet”, ka thënë Breznica për AP.

17 hektarë tokë ishin ndarë për festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë

Ndyrshe 17 hektarë tokë bujqësore në Bernicën e Poshtme, ishin ndarë për festivalin “Sunny Hill”.

Me 26 për, 19 kundër dhe 3 abstenime në seancën e Kuvendit Komunal ishte votuar pro dhënies së tokës së paluajtshme të komunës për këtë festival, për 99 vjet.

Opozita ishte kundër dhënies prej 17 hektarësh në pronësi të një kompanie për kaq shumë vjet. Për të votuar ata kërkuan të ndryshohen disa pika.

Sunny Hill Festival.

“Nuk jemi kundër, por janë diskutabile disa pika. Ndërprite sot dhe kthehu pas dy apo tri dite me një kontratë më të favorshme dhe na keni të gjithë asamblistëve pro. Një pronë publike prej 17 hektarësh, përafërsisht është 30 fusha futbolli, po ja japim një kompanie. Jemi fuqishëm t’i ndajmë parcelë ‘Sunny Hillit’, por duhet të arrihet një barazi interesi”, kishte thënë asamblisti i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla.

Festivali Sunny Hill në dy vitet paraprake ishte mbajtur në Gërmi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore