Lajme

Asnjë falje presidenciale për të sëmurët rëndë në burgjet e Kosovës


Ish-burgu i Prishtinës.

Të burgosurit nëpër Kosovë, varësisht prej gjendjes specifike shëndetësore, trajtohen brenda burgut dhe në raste të tjera në spitalin më të afërt rajonal apo edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Më 1 dhjetor, në pritje të faljes së presidentes, një i burgosur i dënuar për vrasje të rënda, por duke u trajtuar për sëmundje të ndryshme ndërroi jetë në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Por, përveç këtij të fundit, nga ministria e Shëndetësisë për Albanian Post kanë bërë të ditur se edhe gjashtë persona të tjetër kanë ndërruar jetë në burgjet e Kosovës gjatë vitit 2021.

E vizita mjekësore nga MSH-ja për të burgosurit janë dhënë 42 mijë e 628.

Ekspertët të së drejtës penale në Kosovë po konsiderojnë se personat që kanë sëmundje të rënda dhe janë në burg duhet të falën nga presidentja.

Por, zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Florent Gashi, ka sqaruar për Albanian Post se asnjë person nuk është falur nga presidentja gjatë këtij viti.

“Nga fillimi i vitit 2021, e deri më tani kemi përcjellë në Zyrën e  Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë për procedure të mëtutjeshme 96 kërkesa për falje në Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi për AP.

Burgu i Sigurisë së Lartë në Kosovë.

Tutje ai bëri të ditur se për shkak të gjendjes shëndetësore, janë disa kërkesa që po procedohen.

“Ndërsa, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, tetë kërkesa janë proceduar në gjykatat kompetente për pezullim të ekzekutimit të dënimi”.

Faljet në të kaluarën për të burgosurit

Gjyqtari në Gjykatën e Apelit, Hasan Shala, në një prononcim për Albanian Post, u shpreh se në të kaluarën ka pasur falje nga zyra e Presidencës.

“Kur kanë qenë të sëmurë edhe kur kanë qenë afër përfundimit të vuajtjes së dënimit, i kemi falur një vjet, dy vjet, tri vjet”, ka thënë Shala.

Ai thotë presidentja e ka të drejtën të ndërpresë dënimin e një të dënuari kur gjendja e tij shëndetësore përkeqësohet.

“Është institucioni i faljeve të dënimeve ku presidentja e vendit shfrytëzon mundësinë që personat e sëmurë, që janë me sëmundje kronike të ju ndërpres edhe t’i fal dënimet, jo të gjitha dënimet po zakonisht falen ngapak”.

Në anën tjetër për kushtet të cilat ju ofrohen të sëmurëve në Shërbimin Korrektues të Kosovës deklaron se janë të përshtatshme, por që ka sëmundje që nuk shërohen as në Kosovë, aq më pak në burgje.

“Kemi sëmundje që nuk shërohet as në Kosovë, këtu është problemi më i madh për ndryshe në rastet kur është duke vuajt dënimin edhe nuk ka shërim këtu është institucioni tjetër që është pezullimi i dënimit”.

Burgjet në Kosovë.
Çka parasheh ligji për faljen e të burgosurve në Kosovë?

Juristi Arbër Jashari, thotë për AP se falja është në diskrecion të plotë të presidentit të Republikës, pasi këtë të drejtë ekskluzive ia jep Kushtetuta e Kosovës.

“Ligji për faljen nuk ka përcaktuar kriteret në mënyrë taksative, të cilat do të duhej t’i merrte parasysh me rastin e faljes se një të burgosuri, por në vija të trasha, thekson rrethanat që mund të shqyrtohen gjatë dhënies së faljes”.

Jashari shton se kjo, “nuk kufizohet vetëm në peshën e krimit, rreziku i recidivizmit; pendimi i sinqertë, shfaqja e sjelljeve dhe karakterit të respektueshëm”.

Por, që sipas tij presidentja e Kosovës duhet që këtë të drejtë ta ushtrojë.

“Mendoj që Presidentja e Kosovës, pavarësisht për kë bëhet fjalë, duhet që këtë të drejtë që ja ka dhënë akti më i lartë juridik i shtetit, ta ushtrojë sa më shpesh që është e mundur, në mënyrë të përgjegjshme e të dinjitetshme, pa friken se mund të paragjykohet nga opinioni publik, ose mund të mos kuptohet drejt”.

“Kjo ngase e drejta për të kërkuar falje, është e drejtë e të burgosurve”.

Gjithashtu, sëmundjet e rënda dhe të pashëruara, mund të shërbejnë si rrethanë, për paraqitjen e kërkesës për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, pranë Gjykatës Supreme.

Zyra e Presidencës në Kosovë.
Kush nga presidentët fali më shumë?

Presidenti i parë i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas shpalljes së pavarësisë që iu dha e drejta për të falur të burgosurit ishte ai që e shfrytëzoi më së shumti këtë të drejtë pasi fali 124 të burgosur brenda mandatit një mijë e 690 ditësh.

Më pak fali presidentja Atifete Jahjaga me dekretet e lëshuara për 21 të burgosur për një mijë e 827 ditë sa ishte në krye të shtetit.

Në anën tjetër, Vjosa Osmani, presidentja aktuale e Kosovës ende nuk e ka falur asnjë të burgosur.

Tradicionalisht, presidentët kanë shpallur dekrete për falje rreth datës së përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit.

Ndonëse, presidenti Hashim Thaçi shpalli shpesh disa dekrete brenda vitit në data të ndryshme, duke përfshirë edhe datat afër fundvitit.

Që nga viti 2009 e tutje, sipas dekreteve të publikuara në faqen zyrtare të Presidencës, në total janë falur 316 persona, nga ta vetëm 17 gra.

Sipas të dhënave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, aktualisht në institucionet korrektuese janë një mijë e 642 persona të burgosur, prej tyre 574 janë të paraburgosur, ndërsa një mijë e 68 janë të dënuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore