Lajme

ASK: 7.5 % inflacioni në Kosovë


Agjencia e Statistikave e Republikës së Kosovës (ASK) në një raport të së premtes së 11 marsit ka bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit e matur gjatë muajit shkurt të këtij viti krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (2021), ishte 7.5 për qind.

Rritje të çmimeve ka pasur kryesisht për bukë dhe drithëra, qumësht, djathë, vezë, vajra dhe yndyra ushqimore thotë ASK në njoftim, duke shtuar se rritje të çmimeve kanë shënuar edhe pemët dhe perimet dhe shumë produkte tjera.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë prej 1.1 për qind në muajin shkurt të këtij viti, krahasuar me muajin paraprak, janar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në janar të këtij viti ishte në 7.1 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë në janar të vitit 2021.

Për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar pushtimi rus i Ukrainës, çmimet janë në trend të rritjes dhe se kjo luftë ka rritur në veçanti çmimet e energjisë, naftës dhe gazit.

Edhe gjatë muajit mars çmimet e konsumit kanë shënuar rritje. Gjatë së enjtes së 10 marsit, çmimi për një litër vaj ushqimor nga 2.19 euro është rritur në 3.49 euro. Ndërsa dy ditë më parë çmimi për një litër vaj ushqimor ishte 1.68 euro.

Kjo rritje e çmimit u konsiderua rritje artificiale dhe keqpërdorim nga ana e tregtarëve, andaj partitë opozitare në Kosovë kishin kërkuar që Qeveria dhe institucionet e saj përkatëse të marrin masa urgjente në mënyrë që të ndalojnë këtë abuzim me çmime në kurriz të konsumatorëve.

Inspektorati i Tregut në Kosovë, më 10 mars, kishte mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë në qytetin e Fushë Kosovës dhe në qytezën e Graçanicës.

Kjo mbyllje ndodhi pasi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njoftoi tregtarët se po bëjnë veprime mashtruese ndaj konsumatorit, ku sipas këtij dikasteri qeveritar, disa operatorë kanë zbrazur më 9 mars raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit.

Ndërsa një ditë më vonë, më 10 mars, kanë rikthyer vajin në rafte, por me një çmim të ri prej  3.49 euro për litër.

Republika e Kosovës e cila varet kryesisht nga importi i produkteve bazë, edhe para shpërthimit të luftës në Ukrainë është përballur me rritje çmimesh.

Edhe gjatë pikut të pandemisë COVID-19, në Kosovë ka pasur rritje çmimesh që nga marsi i vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore