Shqipëria

Asgjësohen 4945 rrënjë kanabisi në 6 qarqe të vendit, rekord Shkodra


Policia e Shtetit ka bërë me dije këtë të shtunë se janë asgjësuar 4 mijë e 945 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në zona të thella malore dhe të pyllëzuara.

Në kontrollin masiv të territorit janë përfshirë 1 mijë e 560 forca policore të Drejtorive Vendore të Policisë në qarqe, të Policisë Kufitare dhe të reparteve të FNSH Tiranë, Fier dhe Shkodër.

Gjithashtu gjatë kontrolleve janë përdorur edhe 32 dronë, për të kontrolluar territorin, nga ajri.

Sipas autoriteteve, gjatë kontrolleve në terrene mjaft të vështira, në zona malore, në të gjithë vendin janë konstatuar raste të kultivimit të bimëve narkotike në parcela të vogla, që varionin me 25 deri në 90 bimë.

“Konkretisht në qarkun Shkodër janë asgjësuar 3 mijë e 290 bimë narkotike, në qarkun Lezhë 1 mijë e 10 bimë, në qarkun Kukës 316 bimë, në Malësinë e Krujës 225 bimë, në qarkun Gjirokastër 73 bimë dhe në qarkun Dibër 31 bimë, të dyshuara narkotike kanabis”, njofton policia.

Mënyra e asgjësimit ka qenë përmes djegies, përveç një sasie të vogël bimësh që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

“Strukturat hetimore të DVP-ve ku janë konstatuar dhe asgjësuar bimët narkotike, nën drejtimin e Prokurorive respektive, po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit. Kontrolli masiv i territorit do të vijojë çdo javë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore