Lajme

Asgjë nuk e ndal vizionin e artistëve të rinj në Lindjen e Mesme: Ende ka shpresë


Të rinjtë në të gjithë Lindjen e Mesme po u japin zë në mënyrë krijuese situatave komplekse.

Studenti libanez i arteve të bukura, Ali Merhi, po përfundon studimet teksa vendi i tij po përballon krizën më të keqe ekonomike ndonjëherë.

Paqëndrueshmëri që duket te papunësia me rreth 30 për qind, me monedhën vendase në rënie të lirë dhe furnizim të dobët me energji elektrike dhe ujë.

“Jeta është e vështirë për të rinjtë libanezë. Shumica po mendojnë të largohen”, ka treguar 21-vjeçari.

Ai spërkat me bojë nëpër punime me përmasa muri që përshkruajnë krizën e plehrave në Liban, sistemin e tij hekurudhor të pafuqishëm dhe një anije, ngarkesa e së cilës me nitrat amoniumi shkaktoi një shpërthim katastrofik portual në vitin 2020.

“Ti e çliron zemërimin brenda teje në pikturë”, ka thënë ai.

“Ne supozohet se po jetojmë jetën tonë, por në vend të kësaj po kalojmë kohën duke kërkuar nevojat më elementare të jetës”, ka vijuar i riu.

Kurse artistja Dana Salameh, në studion e saj të thjeshtë në periferi të Damaskut, ka ndërtuar një strehë për të shpëtuar nga vështirësitë e konfliktit 11-vjeçar të Sirisë dhe telashet e rënda ekonomike.

“Ndoshta jam duke ikur”, ka thënë 23-vjeçarja. Por “edhe të jetosh këtu vetëm është një arritje”.

Pavarësisht presioneve të përditshme dhe mungesës së mbështetjes për artet, Salameh alternon mes krijimit të veprës së saj dhe mësimit të të rinjve të pikturojnë, duke u mbajtur fort pas një pasurie pozitive krijuese.

“Kur u diplomova, mendova se do të udhëtoja. Por më pas ndjeva se ka kaq shumë gjëra të bukura që do të doja të bëja këtu”, ka treguar e reja.

Ajo dëshiron që t’ju tregoj të gjithëve se artistët mund të arrijnë ëndrrat e tyre në atë vend.

Në anën tjetër, artisti i rrugës Dalal Mitwally, është në ballë të një skene arti në lulëzim në Aman. Diçka që po ndryshon fytyrën e kryeqytetit të Jordanisë.

“Unë kam një përgjegjësi”, ka thënë ai i mbuluar me bojë pas një dite duke krijuar murale me fëmijët në një komunitet të klasës punëtore të Amanit.

24-vjeçari përdor muret si kanavacë për të ndriçuar zonat e paprivilegjuara, për të krijuar lidhje të përbashkëta dhe për të nxjerrë në pah çështjet sociale.

“Dhe nëse ky vend nuk më dha mjaftueshëm, duhet t’i siguroj disa gjëra për ata që vijnë pas meje”, ka thënë ai.

Ndërkohë, palestinezja Jawaher al-Aqraa këndon në një shkollë të vogël muzikore në qytetin e Gazës teksa të tjerët e shoqërojnë me kitarë ose violinë.

“Ne jemi një shoqëri konservatore ku për një grua që këndon ose luan muzikë në publik konsiderohet e turpshme”, ka treguar këngëtarja 25-vjeçare.

Gaza, një territor i varfër i sunduar nga grupi Hamas dhe i bllokuar nga Izraeli, ka parë katër luftëra që nga viti 2008. Por muzika është rruga e shpëtimit për të renë.

Paçka se Izraeli dhe Egjipti fqinjë kufizojnë ashpër udhëtimin e banorëve të Gazës.

“Nuk dua të fajësoj situatën në Gaza si arsye për dështim. Mund të përdor vështirësitë për të forcuar veten”, ka theksuar ajo.

Sakaq, artistja izraelite Shavit Vital ulet në një kafene në qendër të Jerusalemit, duke përdorur një tabletë për të krijuar dizajnet e saj.

Konflikti izraelito-palestinez “është diçka që e përcakton shumë Izraelin”, ka thënë 22-vjeçarja, e cila shërbeu në ushtri gjatë luftës 11-ditore kundër militantëve të Gazës vitin e kaluar.

Tani ajo po studion për t’u bërë artiste tatuazhesh, por “familja e saj është fetare dhe nuk e pranon këtë”.

Teksa kostoja e jetesës dhe pabarazia e të ardhurave rriten, ajo shpreh pasiguri për të ardhmen.

“Unë nuk kërkoj të bëhem e pasur apo diçka e tillë, por në pesë vjet, mezi ia dal mbanë”, ka treguar ajo.

Ndërsa muzikantja irakiane 21-vjeçare, Qamar al-Ani, ka treguar se jeton në gjendje frike për atë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Iraku i lodhur nga konflikti është i goditur nga korrupsioni, infrastruktura e sëmurë dhe shërbimet publike të shkatërruara.

Tani vendi përballet me mungesë uji teksa thatësira shkatërron vendin.

Pavarësisht pasurisë së naftës në Irak, shumë njerëz janë të zhytur në varfëri dhe rreth 35 për qind e të rinjve janë të papunë.

Ajo ka treguar se po përpiqet ta “shmangë pesimizmin”. “Ndjej se jemi më mirë tani se dhjetë vjet më parë. Kam ende shpresë”, ka thënë ajo.

Marrë nga “Asharq Al-Awsat”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore