Sport

Asensio pritet të transferohet te Milan-i


Marco Asensio me shumë mundësi do të largohet nga klubi i Real Madrid-it në fund të sezonit.

Spanjolli 26 vjeçar nuk është në planet e trajnerit të Real-it, Carlo Anchelotti-t, andaj me shumë mundësi gjatë verës do të transferohet në ndonjë klub tjetër.

Ofertat për sulmuesin nuk mungojnë, me Milan-in që është rikthyer fuqishëm në ndjekje të tij.

Kuqezinjtë e kërkuan futbollistin edhe gjatë verës së kaluar, madje arritën një marrëveshje paraprake, por pa mundur në fund ta konkretizonin, pasi Asensio zgjodhi të qëndronte në Madrid.

Por, në rrethanat e krijuara tani, kuqezinjtë do të hidhen në sulm gjatë afatit kalimtar të verës, për ta ofruar futbollistin spanjoll në “San Siro”.

Edhe Asensio nuk e ka fshehur dëshirën për një transferim në Milano, pasi që në kohët e fundit kishte deklaruar se transferimi te kuqezinjtë do të ishte një nder i madh për të.

Kontrata e Asensio-s me Reali-n përfundon në verën e vitit 2023 dhe kartoni i tij vlerësohet 25 milionë euro.

Mirëpo, madrilenët mund të negociojnë edhe për një çmim më të ulët, për mos ta humbur futbollistin e tyre me parametra zero pas një viti.

Kujtojmë që Asensio është pjesë e klubit të Real-it që nga viti 2015, kur u transferua nga Mallorca për shumën e 3.9 milionë eurove.

Ai më pas kaloi një sezon i huazuar te skuadra e Espanyol-it. Pas rikthimit në Real, ai ka regjistruar në total 227 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e bardhë, prej të cilave ka shënuar 47 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore