Lajme

As vendet e G7 nuk i njohin referendumet ruse në Ukrainë


Shtatë vendet superfuqi në botë të grupimit të njohur si G7, ashtu si edhe aleanca e NATO-s, nuk do t’i njohin referendumet e ashtuquajtura ruse në territorin ukrainas.

Përkatësisht, Moska i ka ndërmarrë këto nisma në Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, si përpjekje për t’i bashkuar rajonet me Federatën ruse

Sipas vendeve të grupimit G7, kjo përpjekje nga Moska i shkel qartësisht ligjet ndërkombëtare dhe kartën e Kombeve të Bashkuara, duke cenuar sovranitetin territorial të Ukrainës.

Njëzëri, nga të gjitha vendet anëtare, dënohet edhe mobilizimi i pjesshëm rus, si përpjekje për të përshkallëzuar edhe më tej konfliktin me Ukrainën, i cili gjendet prej muajsh në një pikë kritike.

Thirrje u është bërë të gjitha vendeve në botë, që të dënojnë sulmin rus dhe referendumet false që po ndërmerr në Ukrainë.

“Jemi të palëkundur në qëndrimin tonë për t’i dhënë Ukrainës të gjithë mbështetjen për të cilën ka nevojë, në ruajtjen e sovranitetit territorial të saj”, shkruhet në deklaratën për shtyp të lëshuar nga G7.

Ndihma financiare, humanitare, ushtarake, diplomatike si edhe ligjore, do t’i vihet Kievit në dispozicion nga këto vende, për qëndresën që do të bëjë karshi sulmit rus.

Qëndrimi i NATO-s

Me anë të një deklarate të përbashkët për shtyp, vendet anëtare të aleancës së Atlantikut të Veriut, kanë dënuar njëzëri agresionin rus në Ukrainë, duke përforcuar se nuk do ta njohin asnjëherë referendumin që Rusia do të ndërmarrë në zonat e uzurpruara në lindje të Ukrainës.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ravijëzoi përpjekjen që aleatët po bëjnë për të dënuar sulmet e njëpasnjëshme ruse në Ukrainë.

Në deklaratën madhore ndërkohë, katër pika, janë të renditura mbi çështjen.

E para, shkon pikërisht për referendumet që Rusia kërkon të mbajë, për t’i bërë rajonet ukrainase, në të cilat kanë mësyrë, pjesë të Federatës Ruse.

Kjo, sipas qëndrimit zyrtar nga NATO që prej muajit mars, pak ditë pas fillimit të agresionit rus, është një sjellje e papranueshme e një shteti si Rusia, karshi fqinjëve ukrainas.

Po ashtu, në qëndrimin zyrtar përmendet fakti se, nëse në Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson mbahen referendume ruse, ato janë të papërputhshme dhe në shkelje të plotë me kartën e Kombeve të Bashkuara.

Në pikën e dytë, flitet për mobilizimin e pjesshëm rus, i cili përshkruhet si një hap i mëtejshëm për të përshkallëzuar konfliktin.

Mbi këtë premisë, Rusia mbahet nga Perëndimi si përgjegjës i vetëm i gjithë asaj çfarë po ndodh në Ukrainë prej 24 shkurtit 2022, kur mësymja moskovitë nisi.

Mbështetja e pakundërshtueshme ndaj pavarësisë dhe sovranitetit e integritetit territorial të Ukrainës është i pamungueshëm, duke përforcuar se ndërkombëtarisht, Ukraina njihet me kufijtë që ka në hartë dhe jo në bazë të asaj çfarë rusët pretendojnë.

Megjithatë, ndërhyrje nga NATO nuk do të ketë, siç është bërë me dije edhe më parë.

Por, organizata është qartësisht e pozicionuar pro paqes në gjithë rajonin dhe më tej në botë, ndaj qëndrimi do të jetë i bashkuar dhe aktiv në dënimin e çdo përpjekjeje për të zhbërë sigurinë shtetërore të vendeve aleate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore