Lajme

As ministrja Nagavci nuk përmend UÇK-në në ditën e çlirimit të Kosovës


Arberie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkences, teknologjine e Inovacionit ne Kosove

“Përjetësisht mirënjohës ndaj ShBA-ve, NATO-s dhe të gjithë miqve tanë, të cilët përkrahën luftën tonë!”, është njëra ndër fjalitë me të cilat Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka uruar 12 qershorin, Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Nagavci ka falënderuar kontributdhënësit në këtë luftë, pa përmendur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ishte kjo dita e parë e lirisë, për të cilën shumë breza ëndërruan, e u flijuan. Në këtë ditë, kujtojmë edhe dhimbjet e panumërta që solli lufta mes nesh. Kujtojmë ata që nuk janë më, ata që ranë për liri dhe ata që në mënyra të ndryshme e bënë luftën për ta mbrojtur Atdheun”, ka shkruar Nagavci.

Nagavci ka kujtuar specifikisht një moment kur fëmijët presin me lule ushtarët e NATO-s në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë.

Por, asnjë fjalë për UÇK-në.

Njëjtë si Nagavci, të dielën veproi edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës e cila është e ngarkuar edhe me punën e zëvendës Kryeministres, Donika Gërvalla.

Në llogarinë e saj në Facebook, ajo zgjodhi të falënderojë Aleancën Veri-Atlantike dhe KFOR-in, dhe mjegullt të përmend “ata që dhanë jetën” për Kosovën, pa ua thënë as edhe emrin si Ushtri Çlirimtare e Kosovës, në emblemën e të cilës ishin flijuar dëshmorët e luftës në Kosovë.

Por, edhe pse kjo ditë nuk është e listuar në listën e festave zyrtare të Shtetit nxënësit e shkollave fillore e të mesme nuk do të mbajnë mësim të hënën e 13 qershorit, një ditë pas ditës së çlirimit të Kosovës nga pushtuesi serb.

Këtë 12 qershor u kremtua 23 vjetori i çlirimit, datë kjo e cila nuk është festë zyrtare në Kosovë. Ligji për festa zyrtare, 12 qershorin e njeh si ditë memoriale, madje nuk e njeh si ditë të çlirimit, por si ditë të paqes.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore