Lajme

Artisti palestinez që e ktheu dhomën e burgut në shpëtim të krijimtarisë


Artisti palestinez Mohammad al-Azeez Atef gjeti strehë për të zhvilluar aftësitë e tij të kaligrafisë gjatë tetë muajve të qëndrimit në një burg izraelit.

Në dhomën drejtkëndore në burgun Ofer të Izraelit, 26-vjeçari jetonte me shtatë burra të tjerë.

Ai i kalonte netët duke vizatuar nga mbrëmja deri në agim.

“Arti ishte shpëtimtari im në një vend që është krijuar për të të shkatërruar mendërisht”, ka treguar Atef.

“Burgu është një makinë magjepsëse në krijimtarinë dhe ekspertizën e tij dhe aftësinë për të arritur zhgënjimin dhe nënshtrimin midis të burgosurve palestinezë”, ka shtuar artisti.

Me mjete të pakta të përbëra nga letra, stilolapsa të zinj dhe të kuq, një vizore letre të punuar me dorë, ai prodhoi ato që beson se janë afërsisht 170 vepra arti.

Disa prej tyre ishin dhurata për të burgosur të tjerë dhe 50 të tjera ai arriti t’i nxjerrë jashtë gjatë tetë muajve që ishte në burg, midis nëntorit 2021 dhe qershorit 2022.

“Vizatimet lindën në burg dhe u arratisën nga burgu, disa prej tyre vuajtën, u grisën, disa prej tyre u zbehën nga numri i dhomave dhe seksioneve nëpër të cilat kaluan në burg”, ka treguar Atef.

Mbi 40 vepra arti të tij u ekspozuan në ekspozitën e tij të parë të artit, të titulluar “Dhoma 14” në Qendrën Kulturore Khalil Sakakini në Ramallah, në Bregun Perëndimor qendror të pushtuar nga Izraeli, midis 19 dhe 25 shtatorit.

Pjesët janë tërheqëse vizualisht, me kuptimin e tekstit që shpesh fshihet pas kaligrafisë së vizatuar bukur me zbukurime në letër të lyer me kafe.

Artisti Monther Jawabreh që e ndoqi ekspozitën, ka thënë se “është shumë e rëndësishme sepse po risjell idenë e kaligrafisë arabe në skenën e artit pamor në Palestinë”.

“Teksa kaligrafia moderne u zhvillua në Irak dhe vende të tjera të botës arabe, në Palestinë, ata nuk investuan në kaligrafi në një mënyrë serioze, pati përpjekje të kufizuara në vitet ‘70 dhe ‘80”, ka thënë ai.

“Tani, ne po shohim një kaligraf që prezanton veprat e tij në kontekstin e artit që lidhet me përvojën e tij personale në burg”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Mohammad Atef ka shumë vetëdije dhe është në gjendje ta investojë atë në luftën e tij dhe në veprën e tij artistike.

Ai sheh një të ardhme të ndritur për të.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore