Lajme

Artisti kinez që filmon epokën e COVID-it


Në Kinë, për shumicën e 1.4 miliardë njerëzve, testet e rregullta për COVID janë bërë mënyrë jetese.

Por artisti Siyuan Zhuji po përpiqet t’i kthejë ato në vepër arti.

Që nga marsi, 33-vjeçari nga provinca Jiangsu ka filmuar testet e tij të acidit nukleik me një kamerë të vogël në gojë.

Videot tregojnë dhëmbët, gjuhën dhe pambukun që afrohet. Në disa pamje, një punonjës shëndetësor mund të shihet përmes dhëmbëve të tij, duke administruar testin.

“Kështu është jeta jonë tani, kjo periudhë kohore përfshin kryerjen e testeve të rregullta”, ka treguar Zhuji. “Është një mënyrë jetese që është unike për kohën tonë”.

Ai ka treguar se ideja për videot i lindi kur filloi të konsideronte cenueshmërinë e gojës, si një pikë hyrjeje për virusin dhe gjithashtu për testimin e përsëritur.

Deri më tani ai ka regjistruar rreth 4 teste dhe do të vazhdojë të bëjë video me kamerën e tij me madhësinë e gishtit të madh për sa kohë që kërkohet testimi i rregullt.

Zhuji synon t’i shfaqë videot njëkohësisht në një ekran të madh në një rrjet, një fotografi e jetës pandemike në Kinë. Ai e quan punën e tij si “test COVID-i”.

“Kjo vepër mund të përfaqësojë këtë epokë. Kjo është ajo që dua të shpreh. Është për të regjistruar jetën aktuale të secilit”, ka thënë Zhuji.

Coronavirus-i u shfaq në qytetin kinez Wuhan në fund të vitit 2019 dhe për gati dy vjet Kina ishte relativisht pa viruse.

Por varianti Omicron solli shpërthime të vazhdueshme në të gjithë vendin, me të cilat autoritetet po luftojnë me një breshëri testimesh.

Në shumë vende, kërkohet një test negativ për të përdorur transportin publik dhe për të hyrë në shkolla, vendet e punës, dyqanet, bankat, parqet dhe kudo tjetër që mblidhen njerëzit.

Politika “zero COVID” e Kinës do të thotë se Zhuji mund të jetë duke filmuar teste edhe për shumë kohë.

“Do të vazhdoj xhirimet e këtyre videove deri në fund të pandemisë. Do të vazhdoj aq sa të vazhdojë”, ka përmbyllu ai.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore