Lajme

Artisti afrikano-jugor që i shndërron hedhurinat plastike në portrete


Teksa artistë të tjerë mund të përdorin bojëra uji ose bojëra vaji, Mbongeni Buthelezi përdor hedhurina plastike për të krijuar portrete në studion e tij në Booysens, Johannesburg.

Mjetet e tij të punës janë hedhurinat plastike që mbledh nga vendgrumbullimet lokale të plehrave dhe rrugët e qytetit.

“Kafshët po ngordhin, peshqit në oqean po ngordhin. Të gjitha për shkak të këtij materiali dhe për shkakun tonë si qenie njerëzore”, ka thënë Buthelezi.

“Jemi ne që duhet të mbajmë përgjegjësi”, ka ravijëzuar ai.

56-vjeçari e zbuloi talentin e tij që kur ishte riosh në fshatin KwaZulu-Natal, Afrika e Jugut.

Ai skaliti figurina balte të bagëtive rreth fshatit të tij: lopë, kuaj dhe dhi.

“Jam rritur me kafshët e babait tim, bagëtia ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës sime”, ka treguar Buthelezi.

Por jo gjithçka në këtë mjedis rural ishte e natyrshme.

Ai ka shpjeguar se mbeturinat plastike ishin aq të zakonshme në zonat e kullotave saqë u bënë një pjesë e padëshiruar e dietës së rregullt të lopëve.

“Lopët ngordhnin sepse kishin ngrënë plastikë”, ka treguar Buthelezi.

Pesë dekada më vonë, Afrika e Jugut ka ende një problem serioz të ndotjes plastike.

Në vitin 2018, 107 mijë tonë mbetje plastike nga Afrika e Jugut përfunduan në mjedisin detar. Një studim i vitit 2015 zbuloi se vendi ishte një nga 20 kontribuesit kryesorë në botë për ndotjen plastike detare.

Me mbetjet plastike në rritje në mbarë botën, Buthelezi po përdor punën e tij për ta luftuar këtë fenomen.

Përdorimi i hedhurinave prej tij nuk ishte gjithmonë në mbrojtje të mjedisit.

Në fillim, ai nisi të përdorte mbeturina plastike për artin e tij sepse nuk mund të përballonte mjete më tradicionale.

Në moshën 22-vjeçare, kur vendi ishte ende nën aparteid, ai u regjistrua në klasa me kohë të plotë në një shkollë arti në komunitet në Soweto, një qytezë në Johanesburg.

Mori me vete vetëm dy batanije, shumë pak para dhe shumë optimizëm.

Atje, ai jetonte në një dhomë të vogël dhe punonte punë të çuditshme ndërmjet klasave për të përballuar qiranë dhe ushqimin. Nuk kishte para për materiale.

“Ishin vitet ‘80 dhe Afrika e Jugut po përballej me këtë fazë tranzitore ku politika ishte shumë e paqëndrueshme”, ka kujtuar Buthelezi.

Njëherazi, klima politike nuk ofronte shumë mundësi për të rinjtë afrikano-jugor me ngjyrë që përpiqeshin të ndërtonin karrierën e tyre, veçanërisht ata nga fshatrat.

Problemi kryesor ishte mungesa e fondeve.

Buthelezi ka rrëfyer se nuk kishte shkollim formal në qytete dhe institucionet me bazë komunitare, si kolegji i tij, nuk morën mbështetje nga shteti.

“Shkolla na prezantoi me gjëra të tilla si kolazhi – duke përdorur revista të vjetra për të krijuar një vepër arti – në mungesë të parave”, ka vijuar ai.

Dhe se “pa ato mënyra të zbukuruara tradicionale për të bërë art, zgjeruam mënyrën tonë të shikimit të artit dhe jetës”.

“Pranë studios sime në kolegj ishte një vend depozitimi. Pashë të gjitha ato ngjyra të shkëlqyera, materiale… dhe thashë me vete, çfarë mund të bëj për t’u dhënë kuptim plastikës së kudogjendur”, ka rikujtuar ai.

Kështu, nisi të mbledhë hedhurina plastike për t’i përdorur në vend të bojërave të shtrenjta të vajit.

Zhvilloi një teknikë të përdorimit të një pistolete elektrike të nxehtësisë që prodhonte ajër të nxehtë për të shkrirë plastikën dhe më pas për ta aplikuar atë në një kanavacë të ricikluar.

“Kjo është më miqësore me mjedisin se sa përdorimi i flakëve për shkrirjen e plastikës dhe nuk lëshon tym të dëmshëm në atmosferë”, ka dalluar artisti.

Pas përfundimit të studimeve në Institutin Afrikan të Artit dhe më pas në Fondacionin e Artit të Johanesburgut, ai mori një diplomë të avancuar në Artet e Bukura nga Universiteti i Witwatersrand.

Me karrierën që përparonte, ai solli ndërmend sërish përvojat e tij të fëmijërisë me plastikën dhe rolin që luajti ndotja plastike në vdekjen e shumë lopëve të babait të tij.

Në vitet ‘90, Buthelezi ishte një artist profesionist dhe ishte i vendosur të përdorte inovacionin në art për të mirën e planetit.

“Si artist, unë jam pasqyra e shoqërisë sime. Duhet të reflektoj për atë që po ndodh në tokën ku jetoj”, ka theksuar.

Buthelezi ende punon duke përdorur të njëjtën metodë të shkrirjes së mbetjeve plastike.

Punimet janë figurative dhe kryesisht eksplorojnë përvojën e rritjes në një vendbanim të Afrikës së Jugut.

Gjatë gjithë karrierës së tij ai ka përdorur artin për të edukuar dhe filluar biseda mbi mbetjet plastike globale.

“Bota në të cilën jetojmë mund të na ofrojë gjithçka që na nevojitet për të bërë art pa prodhuar më shumë”, ka thënë ai.

Megjithëse përpjekjet e tij kanë fituar vlerësime të gjera, Buthelezi ka treguar se jo të gjithë kanë qenë kaq mbështetës.

“Disa njerëz thonë, ‘do t’ju mbarojnë plastika një ditë dhe pastaj nuk do të jeni në gjendje të bëni punën tuaj’. Nuk e kuptojnë se do të isha i lumtur nëse kjo do të ndodhte. Për këtë po luftoj”.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore