Lajme

Artistët shprehin ngushëllimet e tyre pas rastit fatal në Kroaci


Këngëtarët e estradës shqiptare kanë shprehur pikëllimin dhe ngushëllimet e tyre menjëherë pas rastit tragjik të ndodhur në Kroaci, ku kanë humbur jetën 10 persona me prejardhje nga Kosova, të cilët ishin duke shkuar për vizitë në shtetin e tyre amë.

I pikëlluar nga ngjarja tragjike është shprehur të ketë mbetur këngëtari Sabri Fejzullahu, i cili ka vlerësuar dashurinë e tyre ndaj Kosovës, ndërsa i ka cilësuar “si bukë të vendit”.

Fotografi e publikuar nga Sabri Fejzullahu në Instagram.

“Zemra gjak po më pikon për ju. Eh, sa shumë e doni tokën e bekume të Kosovës. Ju bekoftë perëndia. Loti për ju nuk ndalet o buka jonë”.

Me një imazh nga momenti i incidentit, këngëtarja, Mimoza Mustafa, ka vendosur të shpreh pikëllimin e saj për këtë tragjedi.

Fotografi e publikuar nga Mimoza Mustafa në Instagram.

“Lajm i dhimbshëm, Zoti ju dhëntë forcën familjarëve, bashkë ndjejmë me ju këtë tragjedi”, ka shkruar ajo.

Edhe këngëtarja nga Shqipëria, Elvana Gjata, ka reaguar menjëherë pas rastit fatal teksa ka thënë se ky lajm “ i ka thyer zemrën”.

Fotografi e publikuar nga Elvana Gjata në Instagram.

“Me zemër të thyer për humbjen e jetëve të vëllezërve dhe motrave nga Kosova. Lutjet e mija janë me familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi”, ka shkruar Gjata.

Reagim ka pasur edhe nga artistja, Dafina Zeqiri, e cila ka shkruar – “Ngushëllime familjarëve për humbjen e tyre në aksidentin e sotëm në Kroaci, lutemi kjo tragjedi të përfundoj me mos të ketë viktima tjera”.

Fotografi e publikuar nga Dafina Zeqiri në Instagram.

I prekur nga rasti tragjik në Kroaci, duket të ketë mbetur edhe këngëtari nga Kosova, Vedat Ademi, i cili përmes një storie të publikuar në Instagram, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

Fotografi e publikuar nga Vedat Ademi në Instagram.

“Ngushëllime familjarëve që humbën më të dashurit e tyre në këtë aksident tragjik. Shërim të shpejtë të lënduarve”, ka shkruar Ademi.

Shumë artistë të tjerë kanë shpërndarë fotografi nga aksidenti nën moton – “Lutemi për mërgimtarët”, mes tyre edhe Capital T, Rina Balaj e Yll Limani.

Ndryshe, në mëngjesin e të dielës si pasojë e një aksidenti të rëndë të një autobusi me udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën 10 persona.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore ku 15 prej tyre kanë pësuar lëndime më të rënda.

Ndërkaq, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e hënë të shpallet ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Kroaci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore