Shqipëria

Artan Hoxha në ‘Opinion’: Pse u rihap dosja e 21 janarit?


Gazetari Artan Hoxha, ditën e enjte në emisionin Opinion në Tv Klan ka shpjeguar pse Prokuroria e Tiranës ka kërkuar të rihapë dosjen e 21 janarit. Kjo kërkesë erdhi një ditë para përvjetorit të protestës.

Sipas tij, nëse çështja nuk rihapej deri në datën 21 Janar të këtij viti, atëherë rrezikonte që të parashkruhej, sepse 10 vjet është koha për parashkrim. Kjo kërkesë e bërë një ditë më parë, i ka dhënë prokurorisë edhe 10 vite të tjera afat për hetimin e ngjarjes.

“Në qoftë se deri sot kjo çështje nuk do të rihapej, atëherë parashkruhej dhe nuk kishte më mundësi për ta kryer hetimin”, është shprehur ai.

Hoxha ka njoftuar gjithashtu se është kërkuar që çështjen ta hetojë Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe jo Prokuroria e Tiranës. Kjo për shkak të dyshimeve që janë ngritur.

“Kjo do të jetë mundësia që të shkohet edhe më larg për të parë kush janë organizatorët, urdhëruesit, pra për ta zgjeruar atë pjesën e hetimit”, thekson ai.

Rihetimi i dosjes si kërkesë e familjarëve.

Sipas analizës së Hoxhës, rihetimi i dosjes së 21 Janarit, ka qenë më shumë një kërkesë e familjarëve të viktimave. Për këtë ka pasur disa takime të bëra mes familjarëve dhe ish-ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë muajve të parë të pandemisë.

Në datën 28 Shkurt të vitit të kaluar, dy prokurorët e kanë pezulluar dhe ia kanë kthyer policisë çështjen me motivacionin se nuk ka autor për vrasjen e Aleks Nikës. Hoxha deklaron se kanë qenë familjarët e Aleks Nikës të cilët kërkonin drejtësi dhe këmbëngulnin që çështja të rihapet.

“Ndërkohë gjatë kësaj kohe ka pasur dhe disa takime, që me sa di unë, ka qenë ministri Lleshaj i cili i ka marrë përsipër. Ai ishte dhe drejtues politik në atë kohë i qarkut të Lezhës dhe Aleks Nika vjen nga zona e Lezhës”, shpjegon Hoxha.

Sipas tij, në këto takime kanë marrë pjesë familjarë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit.

“Janë bërë 3 takime të paktën. Vërtetë është një dosje voluminoze, por gjatë këqyrjes  u pa që në dosje kishte probleme me provat që janë gjetur në vendin e ngjarjes”.

Familjarët e Aleks Nikës nuk e kanë pranuar shpërblimin që u është dhënë familjarëve të viktimës.

Në protestën e 21 janarit 2011, të zhvilluar para kryeministrisë, nga opozita e asaj kohe, PS-ja, kanë mbetur të vrarë 4 persona, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore