Lajme

Artan Grubi: Maqedonia e Veriut do të kërkojë nga Spanja që ta njohë Kosovën


Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka thënë se do të kërkojnë nga Spanja që ta njohë shtetin e Kosovës.

I pyetur nëse ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani do të kërkojë njohjen e Kosovës nga Spanja, Grubi ka thënë se Kosovës nuk do i mungojë përkrahja nga ana e tyre.

“Çështja e Kosovës është në listën prioritare të ministrit të jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanit. Këtë e kam diskutuar edhe në takim. Mbështetjen tonë nuk do ta kenë mungesë në asnjë forum ndërkombëtar”, ka thënë Grubi pas takimit me u.d. presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani

Ai tutje ka treguar se gjatë takimit të tij me Osmanin, temë kryesore ishte sensibilizimi i diasporës së kosovarëve në ndihmesë të diasporës së shqiptarëve të Maqedonisë Së Veriut, në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Grubi e ka uruar Osmanin për fitoren e saj në zgjedhjet e 14 shkurtit, e cila doli si më e votuara, me mbi 300 mijë vota.

Gjatë ditës, Grubi ka takuar edhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Hoxhaj pas takimit të tij me zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin ka thënë se “tema kryesore e këtij takimi të përbashkët ishte kërkesa për të marrë pjesë në procesin e regjistrimit civil, të gjithë shqiptarët në diasporë”.

Ndërsa Abdixhiku ka treguar se atë takim është diskutuar për “çështjet e rëndësisë së veçantë jo vetëm mbipartiake por edhe të relacioneve të shqiptarëve të Kosovës me ata të Maqedonisë së Veriut”.

Grubi po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, për të kërkuar mbështetje në procesin e regjistrimit të popullsisë që ka filluar në Maqedoninë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore