Shqipëria

Arsyet pse mutacioni i ri i virusit mund të ketë mbërritur në Shqipëri


Mutacioni i ri i koronavirusit të zbuluar në Britani për herë të parë, mund të ketë mbërritur edhe në vendin tonë. Shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi thotë se nuk përjashtohet si mundësi. Sipas tij ka dy arsye pse: Fluturimet me Britaninë që janë lejuar në kohën kur ka qarkulluar mutacioni dhe transmetueshmëria e madhe duke bërë që të përhapet më shpejt.

 “Nuk e përjashtoj që varianti i ri të ketë ardhur në Shqipëri pasi ndalimi i fluturimeve me Anglinë u bë në një moment që ky shtam u zbulua, por ai ka qenë që në tetor-nëntor. Nuk është se zbulimi përkon me qarkullimin. Nga ana tjetër, ajo që është vërtetuar deri më tani është transmetueshmëria më e madhe. Gradualisht ai po zëvendëson të gjitha shtamet e tjera.”

Mutacioni i ri i virusit mund të jetë më i transmetueshëm, por për fat të mirë nuk vë në pikëpyetje vaksinën apo antitrupat tek personat që e kanë kaluar virusin. Ai shton se nuk ka prova që mutacioni i virusit të jetë më agresiv apo të shkaktojë rëndim të sëmundjes.

Shqipëria ka pezulluar fluturimet me Britaninë deri më 6 janar. Pas kësaj date, do të jetë Komiteti Teknik i Ekspertëve që do vendosë nëse vendimi do jetë në fuqi apo do të hiqet.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore